Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka reaguar pas thirrjes së kryedemokratit Basha për zgjedhje të parakohshme, për zgjidhjen e krizës politike. Spiropali shkruan në Facebook se kryedemokrati do të duhet të presë për zgjedhjet e ardhshme, për tu rikthyer në Parlament.
Pak më herët, Basha u shpreh se vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje të parakohshme, si rruga e vetme për zgjidhjen e krizës politike. Sipas liderit të opozitës joparlamentare, vendi është gati të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme menjëherë pas kalimit të Reformës Zgjedhore, që do të mund të garantonte kushtet për zgjedhje të lira.
Statusi
Lulzim Basha dhe shumica e tij imagjinare duhet të presin zgjedhjet e radhës per t’u rikthyer në Parlament, prej ku u larguan vullnetarisht me daullet e fitores imagjinare!
Qeveria dhe shumica jonë e votuar për të qeverisur 4 vjet, kanë shumë detyra e punë për të realizuar deri në përfundim të mandatit, në respekt të kontratës me shqiptarët. Ata që e grisën kontratën me zgjedhësit e tyre, nuk kanë asnjë të drejtë po as edhe një shans gjithashtu, të grisin kontratën tonë.
Ne po përgatitemi për dy sezone të reja betejash në çdo drejtim dhe për një Shqipëri më të mirë në çdo fushë të jetës. Nga ana tjetër, sa më shumë Lulzim Basha dhe shumica e tij imagjinare refuzojnë dialogun për reformën zgjedhore, aq më pak kohë kemi ne për të humbur me ta. Brenda dhjetorit do te votojme Reformën Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe do të vazhdojmë më tej me pikat kyçe të procesit të integrimit europian, duke përdorur si hartë drejtuese rezolutën e Bundestagut, si edhe të gjitha pikat e tjera të programit tonë për Shqipërinë që duam.