Një natë para ndërrimit të viteve, gazetari i mirënjohur Alfred Lela së bashku me 4 persona të tjerë përfunduan në humnerë, ku për pasojë specialisti i turizmit Ndoc Mulaj gjeti vdekjen. Ekspedita mes një grupi miqsh përfundoi në tragjedi. Ekipi i përbërë nga gazetari Alfred Lela, Ilir Shyti inxhinier pyjesh, operatori Gisel Dollani, Dorien Malaj dhe Ndoc Mulaj, specialist i turizmit kanë rënë në një humnerë. Ata teksa po ngjisnin malin në orët e mbrëmjes, janë rrëzuar për shkak të erës së fortë. Teksa kanë prekur majën, një stuhi e fortë ka përshkruar zonën duke e bërë më të vështirë lëvizjen e tyre, e për pasojë janë rrëzuar.
Ndoc Mulaj ishte pjesë e grupit të alpinistëve amatorë të gazetarit Alfred Lela, teksa ngjisnin malin e Munellës në Pukë. Dy orë pas incidentit është gjetur Ilir Shyti rreth 30 vjeç i cili është transportuar për në spital. Kërkimet kanë vijuar më pas edhe për Mulajn që për shkak të plagëve të marra nga rrëzimi ka ndërruar jetë.
Ndërsa gazetari Alfred Lela, Dorien Malaj dhe Gisel Dollani janë në gjendje më të mirë. Në kërkime morën pjesë shërbimet e policisë, zjarrfikëses, pjesëtarë të shoqatës së alpinistëve të Pukës të cilët janë ndihmuar edhe nga banorë të zones.