Speciale / Si vjen secila nga skuderitë, Red Bulli kërcënon Mercedesin

Mbreti i testimeve është Red Bulli, duke dominuar testet në Bahrein me një Max Verstappen të guximshëm në performancat e tij. Magjistari Adrian Newey duket se ka gjetur formulën magjike për të rikuperuar ngarkesën aerodinamike të pasme të lejuar nga direktivat e reja të FIA-s, ajo që mungon pjesërisht tek Mercedesi dhe motorri i ri Honda tregoi gjithashtu se do të jetë i besueshëm dhe shumë i fuqishëm, mbase më i fuqishmi nga të gjithë për momentin.

A po kërcënohet mbretërimi i 7-herë kampionit të botës Lewis Hamilton?

RED BULLI asnjëherë kaq i fortë në epokën hibride.

Ndoshta për të tjerët do të jetë një sezon kalimtar drejt vitit 2022, kur rregullat do të ndryshojnë, por jo për Red Bullin, i cili sheh mundësinë e rrëmbimit të titullit nga kampionët e botës që këtë vit. Sfiduesit kurrë nuk kishin filluar kaq të fortë, në epokën e njësive të energjisë hibride, pas mbylljes së vitit 2020 me triumfin në GP-në e Abu Dhabit. Shpejtësia e Verstappenit, tani i pjekur, është një armë në favor. Dhe tani përkrah hollandezit është Sergio Perez i cili kompleton një dyshe të jashtëzakonshme.

MERCEDESI Në kërkim të ekuilibrit

Tri ditë prova nuk ishin të mjaftueshme për Hamiltonin për të gjetur ekuilibrin ideal për W12-ën. Ndryshimet e imponuara nga rregullorja e bënë makinën më nervoze dhe të paqëndrueshme në pjesën e pasme, me rrotullime të shumta (Valtteri Bottas u adaptua pak më mirë në këtë aspekt). Teknikët e udhëhequr nga James Allison duhet të zbulojnë shpejt ‘kurën’ për të rikuperuar ngarkesën aerodinamike dhe ta bëjnë atë të funksionojë me gomat e reja Pirelli. Përveç kësaj, dështimi i kutisë së shpejtësisë, i cili u përsërit tek Aston Martin-Mercedes i Vettelit, ngre shqetësime për besueshmërinë. Por reagimi proverbial i ekipit të Toto Wolffit e bën të pamundur përjashtimin e shtatë herë kampionëve të botës nga favoritët.

MCLAREN ‘Transplant zemre’ vërtet i suksesshëm

Transplantimi i motorit Mercedes në shasinë MCL35 rezultoi i suksesshëm. Duartrokitjet shkojnë për James Key dhe stafin e tij. Performancat nga Daniel Ricciardo (një kockë e fortë për t’u thyer për të gjithë) dhe shoku i skuadrës Lando Norris sugjerojnë që ekipi anglez mund të luftojë për podiumin nga gara e parë, nëse dikush përpara gabon. Marzhet e zhvillimit të makinës mbeten për tu kuptuar, sepse ekipi i Andreas Seidlit po synon fuqimisht vitin 2022.

ASTON MARTIN Shumë probleme, por ka potencial

Problemet e shumta, veçanërisht tek makina e Sebastian Vettelit, nuk nxorrën në pah potencialin e vërtetë të Aston Martinit. Por të gjithë po vënë bast që AMR01 do të shkojë fort, duke pasur parasysh bazën e përbashkët me Mercedesin. Ndërkohë, ka probleme sa të duash për t’u zgjidhur: një mundësi për t’i kapur në kohë vjen menjëherë me garat e para.

Lexo edhe :   “Bujqësia më intereson''/ Habit Vetel: Mora lopatën dhe punova tokën

FERRARI Motor i përmirësuar, nevojitet vendi i tretë

Mrekullitë janë të pamundura. Aq më tepër me rregulloren e vitit 2021 që të detyrojnë të përdorësh të njëjtën kornizë si sezonin e kaluar. Ferrari, megjithatë, u përpoq të ndërhynte kudo ku mundej dhe mund të shihen përparime. Motorri tani shtyn më shumë dhe kjo do të shmangë turpërimëet e vitit të kaluar. Ndërsa shasia mbetet e panjohur, me performancën që mund të ndryshojë shumë nga pista në pista. ‘Fenerët’ e ekipit të drejtuar nga Mattia Binotto janë përqendruar tek 2022-shi, për të hapur një cikël fitues me pilotët e rinj Charles Leclerc dhe Carlos Sainz, por historia e Ferrarit kërkon që ata të luftojnë për të paktën vendin e tretë të konstruktorëve këtë vit.

ALPINE mund të shkojnë lart me Alonson

Në prova, Fernando Alonso ka kaluar kilometra të shumtë por pa i zbuluar kartat. Prandaj është e vështirë të gjykosh Alpin-in e ri. Nuk të habit fakti që Hamiltoni e ka cilësuar si një nga skuderitë e mesit të tabelës për t’u pasur kujdes. Nëse rritja e motorit Renault pasohet nga një ngritje cilësore në performancën e shasisë, atëherë ekipi i drejtuar në pistë nga Davide Brivio mund të hyjë në luftën shumë të ngushtë për vendin e tretë / të katërt në kampionatin botëror. Alonso është nga ata që të fiton gjithmonë dy të dhjetat gjithashtu.

ALPHATAURI Surpriza e mundshme në kufirin e buxhetit

Pierre Gasly dhe debutuesi Yuki Tsunoda dhanë shkëndija në testime. Nuk është për t’u habitur, duke marrë parasysh se AlphaTauri është frymëzuar në koncept nga vëllai i madh i vjetër Red Bulli dhe mbështetet në të njëjtin motorr, Honda. Të mendosh se ekipi i Faenzës mund të luftojë kundër emrave të mëdhenj është një ide bixhozi. Megjithëse, me kufijtë e vendosur nga tani e tutje për tavanin e kostove, surpriza të caktuara mund të ndodhin.

ALFA ROMEO Dëshira për shpërthim si kokëkuqja

Marka Biscione është përsëri në rrugën e duhur. Paraqitjet e treguara nga Kimi Raikkonen dhe Antonio Giovinazzi na bëjnë të besojmë se Alfa Romeo mund të jetë më e mira e ekipeve të renditura në fund. Në Hinwil këtë vit ata duket se kanë gjetur sekretin e amortizatorëve dhe telajos. Pjesën tjetër të përmirësimit e sjell motorri Ferrari tashmë në lartësinë e duhur.

WILLIAMS Ndoshta nuk do të jetë më e fundit

Pas vitesh në venin e fundit, ‘aristokratët’ e rrënuar mund t’ia kalojnë linjën e pasme Haas-it. Nuk ka asgjë për tu entuziazmuar, por do të ishte një fillim i mirë për ish-ekipin e pronarit Frank, të shitur te amerikanët e Dorilton Capital. Një pilot si George Russell dhe një menaxher si Jost Capito janë dy pika të forta.

HAAS asgjë për t’u shënuar. Priten të fundit.