Gjykata Kushtetuese do të mblidhet sërish sot në orën 10:00, për të vijuar shqyrtimin e Parlamentit, që kërkon shkarkimin e presidentit Meta. Kjo është seanca e tretë që zhvillon Kushtetuesja për këtë çështje.
Në seancën e fundit, përfaqësuesit ligjor të Presidentit u mbrojtën duke kundërshtuar të gjithë procedurën që ishte ndjekur nga Parlamenti në legjislaturën IX, për ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit.
Sipas tyre, Presidentit të Republikës iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Parlament para se të merrej vendimi për ngritjen e Komisionit Hetimor. Ndërsa një tjetër moment ku u ndal mbrojtja e presidentit, ishte fakti se Kuvendi nuk kishte legjitimitet për të kryer hetimin.
Anëtarët e trupës së Gjykatës Kushtetuese i drejtuan 72 pyetje Presidencës, që lidhen me qëndrimin e kësaj të fundit për aspektin procedural dhe thelbin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Metës. Vetë kreu i shtetit ka deklaruar se do i kthejë përrgjigje personalisht.