Reshjet e shiut nuk do ndalen me kaq. Edhe pse gjatë pjesës së parë të ditës së sotme nuk pa patur reshje, ato priten të fillojnë nga pasditja e sotme. Ndërsa përgjatë gjithë ditës së nesërme, territori i Shqipërisë do të përfshihet nga reshje shiu, ku në disa zona do të ketë dhe intesitet të lartë.
Në shumicën e qarqeve ato do të jenë mesatare, lokalisht deri intensive, ndërsa në qarkun e Vlorës pritet të jenë intensive, lokalisht deri shumë intensive.
Në disa qarqe do të ketë edhe shtrëngata. Pjesa kryesore e reshjeve pritet të bjerë sonte natën dhe nesër në mëngjes.
Ndërsa në zonat malore priten edhe reshje në formë dëbore, që në Veri do të zbresin deri në 300m, ndërsa në Jug deri në 600 m mbi nivelin e detit.
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se në lumenjtë Drin, Buna dhe Liqenin e Shkodrës të shtunën (24 mars 2018) do të ketë rënie të prurjeve.
Nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të jenë të larta, por do fillojnë të ulen në fundin e ditës së nesërme.
Pritet akoma rrezik i lartë nga përmbytjet në pjesën e Nën Shkodrës dhe në zonat periferike të qytetit të Shkodrës në afërsi të Liqenit në datat 22 dhe 23 mars 2018.
Përgjatë ditës së sotme dhe nesër pritet të kalojë piku i prurjeve dhe pasnesër do të kemi ulje të rrezikut, thotë IGJEUM.
Për arsye të rrezikut nga përmbytja, është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës.
Në pjesën tjetër të territorit parashikohen prurje të larta në pjesët fushore të lumenjve.