Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë Luigi Soreca, tha se ligji anti-shpifje duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias.
Përmes një postimi në Twitter, Soreca shkruan se autoritetet shqiptare janë zotuar për të punuar me këtë ligj në mënyrë që të adresohen problemet e nënvizuara nga opinioni i Komisionit të Venecias.
Ambasadori theksoi faktin se BE do shohë nga afër zhvillimet në lidhje me këtë legjislacion.
Postimi i Soreca në Twitter
“Çdo amendim në draftin e ligjit antishpifje duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje. Autoritetet shqiptare janë zotuar që të vijojnë të punojnë me këtë ligj për të adresuar të gjitha problemet e nënvizuara nga opinioni i Komisionit të Venecias. Ne kemi mbajtur shënim deklaratën e bërë dje nga shumica qeverisëse se do të ndjekë këto rekomandime dhe se konsultimet e duhura do të ndërmerren.
Ne inkurajojmë autoritetet të ndërmarrin konsultimet e nevojshme me organizatat mediatike dhe shoqërinë civile duke marrë parasysh pikëpamjet e shprehura nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të mediave. Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër zhvillimet në lidhje me këtë legjislacion të rëndësishëm, në mënyrë që paketa të vihet në përputhje me të gjitha standardet përkatëse ndërkombëtare dhe evropiane.”