Kuriozitete

Sonenberg, si u ndërtua një nga bunkerët më të mëdhenj anti-bërthamorë në botë


               Publikuar në : 14:26 - 11/09/19 A.F

Zvicra njihet prej shekujsh si një vend neutral. Dhe në fakt ia ka dalë të shmangë shumë luftëra, përfshi dy botëroret. Por në vitin 1963, qeveria e kohës nisi ndërtimin e njërit prej bunkerëve më të mëdhenj anti-bërthamorë në botë. Vendstrehimi, i njohur si Bunkeri Sonenberg, ishte shumë praktik. Ai përbëhej nga 2 tunele, që në kohë paqeje shërbejnë si akse rrugore. Dhe kjo ndodh edhe sot.

Në rastin e një sulmi bërthamor, në të parashikohej të strehoheshin gjithsej 20 mijë njerëz nga zonat përreth Lucernës. Vendstrehimi kishte në total 64 seksione. Në një godinë 7-katëshe midis 2 tuneleve, ndodhej komanda, një spital, një studio radiofonike, një qendër telefonike, dhe disa qeli burgu. Po aty ndodhesin edhe disa gjeneratorë, që siguronin ajrosjen e vendstrehimit.

Vetëm instalimet kushtuan mbi 33 milionë $, ndërsa në total projekti mendohet të ketë kushtuar qindra miliona $. Bunkeri u ndërtua për t’i bërë ballë një shpërthimi bërthamor prej 1 megaton, 1 km larg nga aty. Dyert e tunelit janë 1.5 metra të trasha prej çeliku special, dhe peshojnë mbi 350 ton. Por një testim disa ditor në vitin 1987, zbuloi shumë probleme.

Mbi të gjitha, u deshën 24 orë që të mbylleshin plotësisht të katërta kanatet e 2 tuneleve. Pas Luftës së Ftohtë, kostot e larta të mirëmbajtjes, u dukën të pajustifikuara. Ndaj në vitin 2006, pas një debati të gjatë politik, u vendos të braktiset funksioni dytësor i tuneleve të Sonenbergut, ai i mbrojtjes anti-bërthamore./ TIRANA TODAY

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT