Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka zbuluar sot në studion e “ABC News” se policia është afër zbulimit të vrasjes së Rrëshenit. Ai tha se kapacitetet e policisë shqiptare janë shumë më të larta në krahasim me ato në të shkuarën.
Kemi një fillim të 2020 me bilanc lufte për shkak të vrasjeve dhe aksidenteve. Rasti i Rrëshenit është një nga rastet e rënda, të lë shijen e një vrasjeje mafioze, çfarë ndodh në këto lloj rastesh? Si punohet?
“Kapacitetet e policisë shqiptare janë shumë më të larta në krahasim me ato në të shkuarën. Mekanizmat për hetimin dhe zbulimin e ngjarjeve të caktuar sot gjithmonë e më tepër policia përdor hetime me metoda të ndryshme speciale. Metodat janë tepër të sofistikuara në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë, mjafton të përmend faktin se në shumë prej vrasjeve janë përdorur teknika tepër të avancuara duke filluar nga gjurmët e gishtave, analizat e ADN të cilat orientojnë drejt zbardhjes së autorëve. Për rastin konkret, nga raportimi i Policisë së Shtetit, jam besimplotë se oficerët që merren me këtë çështje por edhe me të tjera në një kohë të shkurtër do të zbardhin çështjen”.
Më herët u bë me dije në media se snajperi i markës italiane “Sabatti” që u përdor për të ekzekutuar biznesmenin Kastriot Reçin në Rrëshen, është i vjedhur. Arma e përdorur nga autori për vrasjen e Kastriot Reçit është vjedhur në shtëpinë e një qytetari në Rahovec të Kosovës. Detaj që shton hetuesit në një tjetër pistë; atë që autori mund të jetë një vrasës me pagesë.
Informacioni se arma ishte e vjedhur është konfirmuar për Policinë e Shtetit nga homologët e Kosovës, të cilët kanë saktësuar se arma është denoncuar disa ditë më parë se të ndodhte ekzekutimi mafioz i 47-vjeçarit Reçi.