Finalja e Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu – Vllaznia do të mbahet më 31 maj, duke nisur nga ora 19:00 në stadiumin Kombëtar “Air Albania”.
Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije për mediat dhe opinionin publik se ndeshja e planifikuar të zhvillohet me 30 maj, do të zhvillohet një ditë më vonë.
Fituesi i këtij kompeticioni do të diskutohet mes ekipit të Skënderbeut, që është caktuar si ekipi pritës në shortin e hedhur disa ditë më parë nga Sektori i Garave në FSHF dhe Vllaznisë, si ekip udhëtues.
Korçarët kaluan në finalen e Kupës pas fitores ndaj Teutës në qytetin bregdetar, ku mundën “Djemtë e Detit” me rezultatin 0-2, me gola të Meksit dhe Elvi Berishës.
Ndërkaq, shkodranët fituan në “Loro Boriçi” ndaj Laçit, një ndeshje që dhuroi shumë emocione, por vetëm një gol, të shënuar nga Ardit Hoxhaj, i cili i dha biletën për në finale shkodranëve.
Kjo është hera e dytë në historinë e këtij kompeticioni që këto dy ekipe përballen me njëra-tjetrën. Hera e parë kur këto ekipe janë përballur me njëra-tjetrën ka qenë në vitin 1965, ndeshje e fituar nga KF Vllaznia, me rezultatin 1-0.