Deputeti socialist, Erion Braçe ka publikuar disa kontrata të lidhura mes ministrisë së Bujqësisë dhe kompanive të familjes Balili, ku kësaj të fundit i janë dhënë 20 hektarë tokë, pas shpalljes në kërkim të Klement Balilit.
Këto kontrata janë nënshkruar në 2016-ën, kur ky dikaster drejtohej nga ministri i LSI-së, Edmond Panariti.
“Kjo është një kontratë e nënshkruar në 20/5/2016 midis Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë Balili & Co, ku Ministria vendos në dispozicion të kësaj kompanie 20 hektarë tokë në dispozicion. Kjo kontratë është lidhur kur partnerët tanë kanë shpallur në kërkim Klemend Balilin. Kjo është një tradhti shumë e madhe ndaj policisë tonë”, është shprehur Braçe.
Po ashtu, deputeti është shprehur se ministria ka firmosur edhe një tjetër kontratë me nipin e Klement Balili më 6.7.2016.
Kryetari i Komisionit të ekonomisë është shprehur nga foltorja e Kuvendit se 80% e kontratave të qirave të tokave janë qoka politike.
Braçe ka vijuar më tej, teksa tha se politika e kësaj qeverie ishte të nxiste prodhimin bujqësor, ndërsa shtoi se edhe në tokat të cilat janë në status prodhimi, arrihet të prodhojnë vetëm 30%.
Deputeti tha më tej se edhe në zonat të cilat janë duke prodhuar, fermerët janë gati t’i braktisin.
Pas këtij skandali të publikuar nga Braçe, ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili i ka kërkuar llogari LSI-së, të cilën e ka quajtur “partia e Balilit”.
Balla kërkoi gjithashtu ndjekje penale për zyrtarët që kanë firmosur dhënien e tokave për Balilin:
“I janë dhënë toka shtetërore një personi në kërkim, Klement Balilit. Opozita nuk mund të mungojë në këtë sallë. Është partia e Balilit, LSI dhe ata duhet të jenë këtu bashkë me opozitën tjetër. Të jenë dëshmitarë, sesi një zyrtar i ka dhënë toka shtetërore Klement Balilit dhe familjes së tij. Nxis Ministrinë e Bujqësisë për audit dhe kallëzime penale për zyrtarët që kanë shpërblyer me toka bujqësore Klement Balilin dhe kriminelë të tjerë”, u shpreh Balla.
Pas akuzave të forta të Braçes, ka reaguar edhe deputeti Edmond Spaho, i cili tha se Balili u emërua drejtor nga vetë Rama:
“Doni t’i lini dobiçin në derë opozitës për krerët e drogës që i keni mbajtur në sqetull që keni ndarë fitimet me ta. Folët këtu se Klement Balilajn po na e mbroka opozita, kush e emëroi drejtor Balilajn, e ka emëruar Rama, ja ku është e të japër përgjigje, opozita e ka denoncuar që në maj 2014, me akuzën qeshi Rama, bënte humor me opozitën. Ta arrestoni jo për tokë, por se është baroni i drogës së rajonit e ka nxjerrë dhe CNN, doni ta arrestoni për tokë bujësore ju, arrestoni Tahirin që e morët në mbrojtje”, tha Spaho.