Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka paralajmëruar se pas aksionit për shkatërrimin e grupit të strukturuar kriminal, nuk do të ndalen në vijimësi në sistemin e burgjeve. Superoperacioni i policisë, zbuloi se të dënuarit për vepra të rënda penale kanë vijuar aktivitetin e tyre kriminal edhe brenda qelisë. Policët e burgjeve, jo vetëm që nuk kanë ndërhyrë për të shkatërruar këtë grup, por kanë bashkëpunuar me ta, duke mundësuar futjen në qeli të drogës dhe sendeve të paligjshme, dhe transportin e saj nga njëri burg në tjetrin. Manja ka reaguar nga foltorja e Kuvendit në lidhje me operacionin e finalizuar në sistemin e burgjeve, ku në pranga u vunë disa zyrtarë, që kishin favorizuar të dënuarit në qeli.
“Dje u ndëshkua një grup kriminal brenda dhe jashtë sistemit të burgjeve. Në rrjetë kanë rënë edhe disa punonjës të policisë së burgjeve edhe në nivele të larta. Ajo që ndodhi dje ishte një punë e nisur prej nesh dhe Prokurorisë së Elbasanit. Nuk do të jetë aksion dhe as kalendar veprimtarish dhe një punë e përditshme në sistemet tona të burgjeve”, tha Manja.
Ai foli për reformat e ndërmarra dhe ato që të bëhen në vazhdim. “Z. Piroli tani që flasim drejtoria e burgjeve është në riorganizim total. Synimi është të ristrukturojmë sistemin e karrierës në policinë e burgjeve, duke përafruar në atë të sistemit të Policisë së Shtetit. Qeveria ka filluar reformat. Sot që flasim kanë dalë aktet nënligjore dhe shumë shpejt do miratohet edhe rregullorja e re e burgjeve.
Nuk ka asnjë rast të mospagesës së orëve jashtë orarit. Nuk mund të lë pa përmendur trajtimin e bërë për stafin shëndetësor. Rritja për pozicionin e kryeinfermierit me 47% rritje page, pozicionin e infermierit me 33%. Një aspekt tjetër është ai i uniformave. Gjatë kësaj kohe kemi pasur dy ngjarje në Shqipëri, tërmeti dhe pandemia.
Qeveria është detyruar të riorientojë fondet në sistemet më prioritar. Në rishikimin e buxhetit në korrik të këtij viti, do marrim mbështetjen e duhur buxhetore për prokurimin e uniformave të policisë. Drejtoria e burgjeve ka lidhur kontrata me shoqëri transporti për punonjësit që jetojnë jashtë zonave urbane. Nuk ka asnjë punonjës të emëruar më larg se 45 km nga vendbanimi i tyre. Gjendja është stabilizuar. Kjo politikë e ndjekur janë trajtuar 140 punonjës të policisë së burgjeve”, u shpreh Manja.