AA-Instant

Skandali në bazën ushtarake të Pashalimanit, si u grabitën armë e municion

               Publikuar në : 08:22 - 12/01/19 S.N

Një ngjarje e paprecedent, në përmasat e një skandali, është regjistruar mbrëmjen e së enjtes në bazën ushtarake të Pashalimanit në Vlorë. Persona ende të paidentifikuar kanë arritur të futen brenda pa u diktuar nga askush, duke realizuar aty një grabitje. 

Burimet thanë se janë vjedhur armë zjarri dhe municion, në një prej depove që supozohej të ishte nën mbikëqyrjen e ushtarakëve. Megjithatë, në momentin kur ka ndodhur ngjarja, personi përgjegjës nuk ndodhej aty.

Nga ana tjetër, vendi ku është kryer vjedhja ishte i vetmi që nuk kishte të instaluara kamera sigurie, gjë që e bën edhe më të vështirë zbardhjen e ngjarjes. Burime nga Policia thanë se nuk përjashtohet mundësia që grabitja të jetë realizuar me dijeninë apo edhe me përfshirjen e vetë personave që kanë akses në hyrjen në bazën ushtarake. Deri tani janë shoqëruar 5 persona, ushtarakë që janë të angazhuar me shërbim në bazën ku ndodhi ngjarja.

GRABITJA

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se në bazën ushtarake të Pashalimanit janë grabitur armë zjarri automatike, municion dhe disa granata dore. Konkretisht, nga verifikimet e kryera pas ngjarjes, rezulton të jenë vjedhur 3 armë, pushkë automatike, një sasi municioni luftarak dhe disa granata.

Grabitja është konstatuar gjatë mëngjesit të ditës së djeshme, por mësohet se gjithçka ka ndodhur në orët e vona të së enjtes. Burime të rezervuara nga Prokuroria thanë se ka dyshime që vjedhja të jetë realizuar në kohën kur roja nuk ka qenë në vendin e caktuar të shërbimit, ose në kohën kur ndërrohen turnet e shërbimeve që mbajnë nën mbikëqyrje. Kjo ka shtuar edhe më shumë dyshimet se grabitja mund të jetë kryer nga persona që punojnë ose janë me shërbim brenda bazës ushtarake të Pashalimanit dhe i njeh mjaft mirë lëvizjet e rojeve. Sipas informacioneve jozyrtare, vlera e armëve e municionit të vjedhur arrin deri në 8 mijë euro.

HETIMI

Baza ushtarake e Pashalimanit në Vlorë ndodhet nën juridiksionin e Ministrisë së Mbrojtjes. Për këtë arsye mësohet se përfaqësues të kësaj Ministrie kanë qenë të pranishëm në bazën ushtarake që prej orëve të vona të së enjtes, për të hetuar ngjarjen.

Nga ana tjetër, ata kanë kryer edhe një kontroll të imtësishëm në bazën ushtarake. Ndërkohë, nga Policia Ushtarake janë shoqëruar pesë persona, punonjës të bazës ushtarake të Pashalimanit, mes tyre civilë e ushtarakë, të cilët janë marrë në pyetje për grabitjen e ndodhur.

Bëhet fjalë për një ngjarje të paprecedent, për grabitje brenda një baze ushtarake, ndaj edhe informacioni për këtë ngjarje ka qenë shumë i rezervuar. Duke qenë se është objekti nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, hetimet do të kryhen nga Policia Ushtarake, Ministria dhe Prokuroria e Vlorës.

Megjithatë, nuk është përjashtuar nga hetimet as Policia e Shtetit. Në zonën ku ndodhi ngjarja ka vijuar për orë të tëra një kontroll i imtësishëm, pasi dyshohet se armët e grabitura mund të jenë fshehur diku afër bazës ushtarake, në Pashaliman./Panorama

Kthehu