Skandali me të dhënat personale/ Spiropali: Nuk janë publikuar nga PS

Ministrja për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje me skandalin e publikuar dy ditë më parë, së të dhënave personale të mbi 900 mijë qytetarëve.

E ftuar në ”Top Talk”, Spiropali pranoi se Partia Socialiste ka një databazë me të dhënat e votuesve, por tha se informacionet nuk janë publikuar nga e majta.

Sipas saj është normale që partitë politike të kenë databazë me të dhënat e votuesve, dhe ndodh në të gjithë botën.

Elisa Spiropali: ”Ne thjesht i evidentojmë votuesit. Nuk i ndikojmë dot, as nuk i çojmë në qendra votimi të na votojnë. Jo, ne nuk i përdorim askund. Unë nuk di të them si e qysh i ka botuar një portal apo disa portale, ata mbajnë përgjegjësi për botimin. Në, që nga viti 2008 kemi një databazë që përditësohet.

 Po ju them se e-Albania nuk mban të dhëna të individëve, është një faqe ndërlidhëse. Janë mbledhur të dhëna ndër vite. Meqë e kanë me merak le të hetojnë, le të bëjn ç’të duan… Nuk ka lidhje me PS-në, nuk i kemi nxjerrë”.