Komisioni i Disiplinës vazhdon të jetë një organ me probleme serioze sa i përket barazisë në garë. Mbi të gjitha vazhdon të mbartë dyshimet se “urdhërohet” për të toleruar dhe klube të caktuara, pavarësisht se në raste të ngjashme ka marrë dënime të tjera.
Ajo që ndodhi në ndeshjen mes Kukësit dhe Laçit u transmetua live, u diskutua gjerësisht në media dhe opinion sportiv, por vetëm Komisioni i Disiplinës nuk ka qenë i aftë të shohë. Përfshirë këtu edhe ndihmën që mund të ketë dhënë vetë FSHF në këtë aspekt. Në ndeshjen e Kukësit, u godit arbitri nga tribuna e tifozëve, u ndërpre loja për këtë arsye dhe pas disa minutash rifilloi. Një fakt i pakundërshtueshëm dhe i pasqyruar qartësisht me pamje filmike.
Por çfarë ndodhi?! Kukësi u dënua vetëm me gjobë. Për të kuptuar skandalin, se si anëtarët e Disiplinës mbyllën sytë dhe hapën veshët për të dëgjuar urdhrat, e tregon vetë Kodi i Disiplinës.
Saktësisht neni 66, pika 3/b në Kodin e Disiplinës thotë:
b) në rastin e hedhjes së mjeteve ndezëse, hedhjes së fishekzjarrëve, hedhjes së gurëve ose sendeve të tjera brenda rrethimit të fushës së lojës, duke shkaktuar akte të dhunës ose ndërprerje të përkohshme të lojës, sanksionohen me ndalimin e zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës për jo më pak se 4 (katër) ndeshje pa spektatorë;
Pra, neni që parashikon saktësisht atë që ndodhi në ndeshjen e Kukësit është anashkaluar me vetëdije dhe klubi verior i shpëtoi të PAKTËN 4 ndeshjeve pa spektatori. Rastësi?!