”Situata parazgjedhore është cenuar rëndë”/ Meta letër KQZ-së dhe Kuvendit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i është drejtuar sot me një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Kuvendit, ku denoncon tentativat e mazhorancës dhe Bashkisë Tiranë për cenimin e veprimtarisë opozitës, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Lidhur me shqetësimin e tij, Meta i është referuar dy rasteve, bastisjes së zyrave të Frymës së Re Demokratike nga Bashkia e Tiranës dhe përplasjeve të ndodhura mes simpatizantëve të PD-së dhe PS-së në Elbasan.

Sipas Kreut të Shtetit, të gjitha incidentet e fundit janë tregues për sjelljen e mazhorancës, e cila sipas Metës ka qëllim dëmtimin pluralizimin politik në vend.

Pjesë nga letra e Presidentit Meta

“Siç dhe jeni njohur me zhvillimet e fundit, përmes medias së shkruar, elektronike dhe vizive, situata politike parazgjedhore dhe klima e besimit ndërmjet forcave politike garuese në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit, është cenuar rëndë. Përpos faktit të pasqyrimit në media të zhvillimeve të fundit në Tiranë dhe Elbasan, si President i Republikës, më duhet t`ju bëj dije mbi një situatë tërësisht të paligjshme, që ndodhi në selinë e Frymës së Re Demokratike, forcë politike kjo e cila u sulmua dhunshëm nga strukturat dhe Kryetari i Bashkisë Tiranë.

Ky sulm, që u organizua dhe ekzekutua vetëm pak ditë më parë, në datën 12 mars 2021, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të FRD-së me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj për zgjedhjet e 25 prillit 2021, bie ndesh me të gjitha parimet demokratike të shtetit të së drejtës, bashkëjetesës që do të duhet të shoqërojë situatën, para, gjatë, dhe pas zgjedhore. Ky sulm është një tjetër tregues i sjelljes tërësisht të papërgjegjshme dhe provokuese të mazhorancës, me qëllim dëmtimin e aktivitetit kushtetues dhe ligjor të kësaj force politike pjesëmarrëse në zgjedhje, por njëkohësisht edhe një dëshmi e përpjekjeve të saj sistematike për të minuar pluralizmin politik në vend”,