Situata nga koronavirusi/ Meta takon kreun e fasonistëve

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kryetarin e Fasonistëve të Bashkuar, Gjergji Gjika.

Përmes një postimi në Facebook, Meta thotë se ka dëgjuar problematikat e bëra publike të këtij sektori të rëndësishëm social, për të cilin shprehet se ndodhet në një situatë kritike.

Kreu i shtetit shprehet se do të vazhdojë të insistojë për një vlerësim sa më të shpejtë, për të evituar kolapsin e sektorit fason.

Postimi i plotë:

Sot, prita në një takim Kryetarin e Fasonistëve të Bashkuar, z. Gjergji Gjika dhe dëgjova me vëmendje, nga afër, problematikat e bëra publike prej kohësh të këtij sektori të rëndësishëm social dhe ekonomik të vendit.
Z. Gjika theksoi urgjencën e mbështetjes së sektorit fason, që është në një situatë mjaft kritike, si nga kufizimet brenda vendit, ashtu edhe nga tronditjet e tregjeve ndërkombëtare.
Gjatë bisedës, theksova se i kam kërkuar qeverisë mbështetje për kërkesat e këtij sektori, dhe se do të vazhdoj të insistoj për një vlerësim sa më të shpejtë, realist dhe praktik, për të evituar kolapsin e sektorit fason dhe për të mbështetur punonjësit, gjithashtu. 🇦🇱