Në fund të muajit nëntor, sistemi bankar në Shqipëria ka arritur një rekord të ri. Në bazë të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, për 11-mujorin e vitit 2017 fitimi ka arritur në 20.2 miliardë lekë.
Të dhënat tregojnë se sistemi bankar në Shqipëri ka arritur fitimin më të madh të regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, fitimi është rritur me afro tre herë. Faktori më përcaktues në rritjen e lartë të fitimeve është padyshim përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë së portofolit të kredisë.
“Në fund të nëntorit, raporti i kredive me probleme zbriti në 14.3%, niveli më i ulët në shtatë vitet e fundit. Veç të tjerash, ky përmirësim ka ulur në mënyrë drastike shpenzimet e bankave për provigjione, duke ndihmuar rrjedhimisht në rritje të ndjeshme të rezultatit financiar”-shkruan Scan.
Rritja e fitimeve e bën sistemin bankar më të shëndetshëm dhe më optimist për të ardhmen. Kjo pritet të ketë një efekt pozitiv edhe në çlirimin e kreditimit në të ardhmen. Sidoqoftë, duhet theksuar se fitimet e larta ngelen të përqendruara në pak banka të mëdha, ndërsa shumica e bankave kanë përfitueshmëri në nivele normale, madje në disa raste modeste.