Silva Bino: Nuk e kemi kaluar më të keqen, nesër mblidhemi me Komitetin Teknik

Shefja e epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tha se nesër Komiteti Shëndetësor do të mbajë një mbledhje për tu njohur me situatën e pandemisë së Covid-19 dhe më pas për të ndërmarrë masat e reja.

Në një intervistë për emisionin “Përballë” në Rtsh, Bino pohoi se virusi qëndron në ajër për disa minuta dhe kjo rrit mundësitë për tu infektuar.

Ndërkohë, Bino shtoi se për të këputur zinxhirin e infektimit duhet të aplikohet vaksinimi në të gjithë popullsinë. Ajo ka thënë se kjo gjë do të jetë e vështirë për vendin tonë pasi sipas saj Shëndetësia Publike nuk u gjet në momentin më të mirë të saj.

“Ne i dijmë rrugët e transmetimit të infeksionit. Nëse nuk e dinim në fillim, tani e dijmë që jo vetëm përmes spërklave mund të infektosh dikë, por edhe kur flet pasi virusi qëndron në ajër. Rruga kryesore është në ajo ajrore. Këto janë disa elementë të rëndësishëm. Vendet kryesore të infektimit janë vendet e mbyllura, zyrat, baret, restorantet. Maska jo vetëm mbron veten, por edhe atë që ka përballë. Që të këpusësh zinxhirin e infektimit duhet të vaksinojmë të gjithë popullatën.

Por, më vjen keq që e them se ne nuk mundemi ta arrijmë këtë. Për këtë duhet të marrin një seri masash. Që të rrisësh numrin e trajtimit nuk është e mundur. Kjo pandemi nuk e gjeti shëndetësinë publike në momentin më të mirë. Ishte lënë pas dore që nga viti 1990. Këtë herë është kthyer një sy nga shëndeti publik.” – tha ajo.