Editorial - Opinione

Sikur të thoni ndonjë fjalë edhe për qytetarët, nuk do të bëni keq zoti Rama!


               Publikuar në : 16:01 - 25/06/19 Enno

Nga Bledi Lumani/ Të dielën, rastësisht u gjenda në mitingun e Edi Ramës në Përmet. I ulur në një lokal aty ngjitur me sheshin ku mbahej mitingu, në pritje për t’u liruar rruga, për të shkuar drejt Bënjës, m’u desh të dëgjoja fjalimin e gjatë dhe të mërzitshëm të Ramës përpara një turme të fikur, të cilën e “ndiznin” disa dhjetra të rinj të importuar nga Tepelena, nga Tërmet Peçi.

Prisja të dëgjoja ndonjë premtim a ndonjë arritje të qeverisjes për Përmetin, por përveç “ujit 24 orë”, gjithçka tjetër ishte një retorikë boshe, që nuk iu drejtohej përmetarëve, por politikës së Tiranës.

Nuk dëgjova as kur do përfundojë By Pass-i i Fierit, as ai i Tepelenës, që do të shkurtonin rrugën për turistët e shumtë të huaj që mësyjnë Përmetin, ndoshta më shumë se çdo qytet tjetër në vend, për përfundimin e rrugës drejt fshatit të Bënjës, një prej më të bukurve në vend, që mban “gjallë” Përmetin me turistët e huaj që tërheq, as për ndonjë mundësi zhvillimi për zonën, për hapjen e ndonjë fabrike, për punësim, për nxitjen e bujqësisë a blegtorisë e të tjera gjëra si këto, që premtohen në fushata zgjedhore.

Jo, dëgjova vetëm për filxhanin e Monikës, për historinë e “dashurisë” së Ramës me Bashën, si Romeo e Zhulieta, që kryeministri e tregon në çdo takim, për hallet e Ramës me Metën, madje edhe se çfarë shkruante “Le Monde”, NYT”, “Guardian” etj, për sherret e tij me opozitën.

Asnjë fjalë për përmetarët hallexhinj, që me sy e veshë hapur, prisnin të dëgjonin ndonjë lajm për ta, jo se çfarë shkruante “NYT” e largët, për sherrin e Tiranës.

Dhe kjo nuk ndodhi vetëm në Përmet në fakt, por ngado që Rama ka shkuar, si një përsëritje e 2017-s, kur dhe atëherë, falë përçarjes që i bëri opozitës, Rama dilte qytet më qytet me “benevreke” e bënte gallata.

Këtë radhë s’ka nevojë as për batuta, se opozita ia bëri edhe më të lehtë, duke mos pranuar të hyjë në zgjedhje.

Tani është e kuptueshme që me mungesën e opozitës në zgjedhje, Rama nuk ka pse të premtojë gjë, pasi zgjedhjet i ka të fituara pa nisur.

Por, nëse mban takime elektorale dhe iu kërkon votën qytetarëve, mirë është të thuash edhe ndonjë gjë për njerëzit që të votojnë, se jo të gjithë kanë hallin si do vejë puna me Bashën, Kryemadhin apo Metën.

Ka dhe njerëz, dhe janë shumë, që mezi mbyllin muajin dhe duan punë.

Nëse nuk ke gjë për ta, rri më mirë në Tiranë e shiko filxhanin gjithë ditën. Trego dhe ndonjë histori me Romeo e Zhulietë.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT