Gjatë fundjavës së kaluar, faqja e internetit e televizionit publik danez DR, së bashku me gazetat e tjera evropiane si gjermania “Süddeutsche Zeitung” dhe francezja “Le Monde”, botuan një investigim që zbuloi se shërbimet sekrete daneze ndihmuan Shtetet e Bashkuara, që të përgjonin komunikimet e shumë udhëheqësve evropianë nga Gjermania, Franca, Norvegjia dhe Suedia.
Mes tyre më e rëndësishmja dhe e njohura është Kancelarja gjermane Angela Merkel.
Spiunimi dyshohet se ishte kryer nga NSA, Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, midis viteve 2012-2014, dhe faktet dihen tashmë prej vitesh.
I pari që njoftoi se Shtetet e Bashkuara kishin spiunuar qeveritë aleate, dhe se ata madje kishin përgjuar telefonin celular të Angela Merkel, ishte Eduard Snouden, ish-konsulent i NSA, zbulimet e të cilit shënuan fillimin e njërit prej skandaleve kryesore të spiunazhit në historinë amerikane.
Risia e investigimit danez është bashkëpunimi dhe mbështetja që Shërbimi Informativ i Mbrojtjes Danez (FE) i ka ofruar NSA-së për të spiunuar vendet fqinje. Kjo marrëdhënie bashkëpunimi është përshkruar nga një raport (raporti Dunhammer) i porositur në vitin 2014 nga drejtuesit e FE, për të hetuar mundësinë që NSA të kishte abuzuar me bashkëpunimin në fjalë.
Raporti ishte përgatitur gati një vit më pas, dhe do të mbetej sekret deri më tani. Gazetarët e televizionit DR biseduan me 9 burime anonime të përfshira në hartimin e raportit, të cilët do të përshkruanin pjesët kryesore.
Sipas investigimit, Danimarka u zgjodh nga NSA-ja amerikane për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike, që e bën këtë vend një qendër të rëndësishme lidhjeje për kabllot nënujore,që mbajnë të dhënat e lidhjes së internetit në të gjithë Evropën Veriore.
Përmes Danimarkës kalojnë kabllot e internetit të Britanisë së Madhe, Holandës, Norvegjisë, Suedisë dhe Gjermanisë etj. NSA dhe FE do të kenë ndërhyrë në përmbajtjen e këtyre kabllove, duke kopjuar një sasi të madhe të dhënash dhe analizuar përmbajtjen e tyre në një strukturë (një qendër të dhënash), të ndërtuar enkas në periferi të kryeqytetit danez Kopenhagen.
Për analizimin e të dhënave u përdor sistemi kompjuterik “XKeyscore “,mënyra e funksionimit e të cilit u zbulua fillimisht nga Snouden. “XKeyscore”mundëson analizimin e të dhënave dhe metadatave të lidhjeve të internetit, dhe nxjerrjen prej andej të përmbajtjeve specifike.
Falë kësaj metode, NSA ka arritur bashkëpunimin e shërbimin sekret danez FE “ndër të tjera, për përgjimin e shumë bisedave telefonike, mesazheve në chat dhe atyre me tekst” të shumë liderëve politikë evropianë, shkruan DR.
Në investigim përmenden vetëm emrat e 3 politikanëve gjermanë të përgjuar:përveç Angela Merkel, është ish-ministri i Jashtëm gjerman Frank-Valter Shtajnmajer dhe ish-lideri i opozitës, Per Shtajnbryk. DR pretendon gjithashtu se politikanë të rëndësishëm nga Franca, Norvegjia dhe Suedia u spiunuan me bashkëpunimin e NSA me shërbimin danez të inteligjencës.
Pas publikimit të investigimit, politikanët evropianë, sidomos ata të vendeve të përfshira, e dënuan këtë akt. Presidenti francez Emanuel Makron, tha gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Merkel se këto “nuk janë praktika të pranueshme midis aleatëve”, ndërsa Merkel ishte veçanërisht kritike ndaj Danimarkës.
Spiunimi i aleatëve nga Shtetet e Bashkuara ka qenë një fakt i njohur për vite me radhë, dhe zbulimet e reja nuk kanë gjasa që të vënë në vështirësi marrëdhëniet e saj me Evropën. Edhe nëse në atë kohë skandali i futi në një krizë serioze marrëdhëniet diplomatike, tani shumica e mosmarrëveshjeve janë sheshuar.
Presidenti i SHBA-së Xho Bajden do të vijë në Evropë në mesin e këtij muaji për një takim të G7-ës në Britani, samitin e NATO-s në Bruksel dhe një samit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Risia e vërtetë e investigimit të televizionit danez DR, është përfshirja e inteligjencës daneze. Për këtë arsye, këto ditë kritikat po fokusohen pikërisht tek Danimarka. Spiunimi i një shteti sovran mbi një tjetër nuk konsiderohet diçka e paligjshme, por veprimtaria e Danimarkës është vënë nën kritika shumë të ashpra politike, dhe kjo pasi spiunimi ka ndodhur kundër vendeve të tjera anëtare të BE-së.
Në kundërpërgjigje të tyre, Ministrja daneze e Mbrojtjes që mori detyrën pas përfundimit të aktiviteteve të përgjimit, deklaroi për televizionin DR se “spiunimi sistematik nga aleatët e ngushtë është një praktikë e papranueshme”.
Burimi: https://www.ilpost.it/2021/06/01/nsa-danimarca-spionaggio-contro-merkel
Përshtatur për Tirana Today