E shtunë, 23 Janar, 2021
10 C
Tirana

Si të shmangni shndërrimin në depresion të trishtimit që mund të keni

Nga: Jelena Kecmanovic “The Washington Post”

Problemet e shëndetit mendor, duket se janë kudo në rritje. Siç raporton një studim i fundit, çereku i amerikanëve raportuan depresion të moderuar deri në forma të rënda verës që shkoi, dhe po kaq të tjerë thanë se vuanin nga depresion i lehtë.

Këto zbulime janë të ngjashme me sondazhet e kryera nga Byroja e Regjistrimit dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Një e treta e amerikanëve, tregojnë tashmë shenja të ankthit klinik apo depresionit. Ish Zonja e Parë e SHBA-së, Mishel Obama, e ritheksoi këtë problem, kur tha në muajin gusht se po vuante nga një “depresion i shkallës së lehtë”.

Si psikologe në profesion, dëgjoj thuajse çdo ditë se si kombinimi i koronavirusit, trazirave me sfond racor, pasiguria ekonomike dhe kriza politike, po i bën shumë njerëz të ndihen shumë më keq se zakonisht.

“Nuk është aspak e habitshme, që po shohim një rritje të ndjeshme të problemeve psikologjik. Ky është një reagim normal ndaj një situate anormale”-thotë Xhudi Bek, presidente e Institutit Beck për Terapinë e Sjelljes Konjitive në Filadelfia. Por ekziston një ndryshim i rëndësishëm midis simptomave depresive – si trishtimi, lodhja dhe humbja e motivimit – dhe një episodi depresiv të madh, që mund të ndikojë në aftësinë tuaj për të funksionuar në punë dhe shtëpi për javë apo edhe muaj të tërë.

Sasia dhe kohëzgjatja e simptomave, si dhe shkalla në të cilën ato dëmtojnë jetën e dikujt, luajnë rol në diagnostikimin e depresionit klinik. Ndërsa po hyjmë drejt dimrit, stinë që teston shumë nga problemet ekzistuese që kanë shumë njerëz, ja disa nga strategjitë që mund t’ju ndihmojnë t’i rezistoni spirales depresive:

Reduktoni mendimet e tepërta

Kur ndihemi keq me humorin, ne priremi të mendojmë në mënyrë të përsëritur për gjërat e këqija, shpesh duke u përpjekur të kuptojmë pse kanë ndodhur ato. Studimet tregojnë se disa njerëz janë veçanërisht të prirur ndaj kësaj lloj “përtypjeje depresive të mendimeve”. Ata mendojnë me tepri mbi gjithçka, duke shpresuar të mendojnë se nuk do të ndihen keq, dhe as që do të shqetësohen për pasojat e trishtimit të tyre.

“Mjerisht kjo praktikë vetëm sa e shton depresionin”- thotë Eduard Uotkins, profesor i psikologjisë klinike eksperimentale dhe të aplikuar në Universitetin e Ekseterit në Angli. Kur ripërtypim gjërat e këqija që kemi kaluar, ne priremi të mendojmë vazhdimisht për një të kaluar negative në terma të përgjithshëm.

Për ta zbutur këtë lloj sjellje, Uotkins sugjeron të fokusohemi në detaje konkrete të ngjarjeve të vështira, duke u përgjigjur pyetje: ”Si ndodhi kjo?” dhe “Çfarë mund të bëj për këtë gjë?”. Gjithashtu, mund të jetë e dobishme të identifikoni shkaktarët e zakonshëm të kësaj praktike- si të qenit i lodhur ose i tensionuar – dhe të dilni paraprakisht me alternativa tërheqëse si kontakti online me një mik, apo leximi i një libri.

Dilni dhe shoqërohuni me të tjerë, edhe nëse nuk ju pëlqen

Shpesh, gjëja e fundit që duan të bëjnë njerëzit kur ndihen të dëshpëruar, është të jenë aktivë. Pacientët e mi, më thonë shpesh se kanë një joshje të fortë për të qëndruar në shtrat me kokën e mbuluar me batanije. Por kufizimi i lëvizjes dhe angazhimit me të tjerët, vetëm sa e përkeqëson gjendjen shpirtërore, dhe potencialisht e thellon depresionin.

Përkundrazi, veprimi, sidomos ai i përqendruar mbi diçka që është e rëndësishme për ju, mund të zvogëlojë depresionin . Nëse për shembull, bota juaj shpirtërore përfshin lidhjen me natyrën, mbjellja e disa luleve në oborr, apo shëtitja me këmbë në park, do të ketë një ndikim të madh.

Rritni vetë-dhembshurinë

Ndjenjat depresive, ndërthuren shpesh me vetëgjyqësinë. Studimet zbulojnë se autokritika dhe perfeksionimi, sigurojnë shumë “karburant” për depresionin. Një alternativë është vetë-dhembshuria. Kristin Nef, profesore e asociuar i psikologjisë arsimore në Universitetin e Teksasit, dhe autore e librit “Vetë-dhembshuria:Fuqia e provuar e të qenit i mirë me veten”, thotë:”Në fillim duhet të pranoni ndjenjat tuaja të trishtuara, dhe të jeni të hapur ndaj tyre. Pastaj të nxisni mirëkuptimin dhe kujdesin ndaj vetes tuaj, dhe më në fund ta kuptoni se vuajtjet janë një pjesë e përvojës së përbashkët njerëzore”-thotë ajo.

“Edhe toni i zërit tuaj ka rëndësi, sa më i butë, aq më mirë”- thotë Uotkins. Ju gjithashtu mund t’i shkruani vetes një letër plot vetë-dhembshuri, dhe ta lexoni atë sa herë që ndiheni keq. Vendosja e duarve mbi zemër, mbajtja e fytyrës me të dyja duart, apo vetë-ledhatimi i butë i krahëve, mund të jetë gjithashtu qetësues.

Mendimet anësore të pafuqisë dhe pashpresës

Kur nuk mundemi të kontrollojmë gjërat e këqija, është e zakonshme të ndihemi të zhgënjyer dhe të trishtuar. Kjo është veçanërisht e vërtetë në mesin e një pandemie të frikshme, që është kërcënuese nga ana mjekësore dhe ekonomike.

Kjo ndjenjë pafuqie, shoqërohet shpesh me humbjen e shpresës për një të ardhme më të mirë. Studimi 10-vjeçar i psikologes Loren Alloj në Universitetin Temple, ka treguar se kjo e fundit është një kontribues i fortë në përkeqësimin e depresionit.

Për t’iu kundërvënë mendimeve pesimiste, provoni të imagjinoni veprime pozitive që mund të bëni ose gjëra të mira që ndodhin. Praktikoni krijimin e skenave në mendjen tuaj që përfshijnë të gjitha shqisat. Imazhe të tilla mendore, janë dëshmuar si pozitive për ngritjen e humorit të keq.

Një mënyrë tjetër për t’i zhdukur këto mendime, është t’i shihni ato të kalojnë në syrin tuaj të mendjes, si të ishin gjethe që lundrojnë mbi një lumë, apo re që lëvizin në qiell. Ju mund ta kuptoni se kjo gjë ju lejon të distancoheni nga mendimet, dhe të fokusoheni në diçka më të dobishme në të tashmen.

Vini re kur ndiheni mirë, dhe bazohuni tek ajo

Edhe gjatë momenteve më të vështira, njerëzit përjetojnë herë pas here momente të një humori pozitiv. Kjo mund të jetë po aq kalimtare, sa edhe kafshimi i parë i një molle të freskët. Gjithsesi të shijuarit e këtyre momenteve pozitive, duke u përqendruar tek përvoja e pesë shqisave tona, duke bërë një foto mendore apo telefonike të tyre, dhe duke i ndarë emocionet me të tjerët, çon në aktivizimin e rajoneve të trurit që duket se e zvogëlojnë depresionin.

Burimi i lajmit: https://www.washingtonpost.com/health/sadness-depression-stopping-getting-worse/2020/11/27/b5fa88c8-0e3f-11eb-8074-0e943a91bf08_story.html

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

E trishtë/ Ndërron jetë në moshën 35-vjeçare ish-sulmuesi

Ish-sulmuesi xhamajkan, Luton Shelton ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare, për shkak të një sëmundje. Shelton ishte diagnostikuar në vitin 2018 me sëmundjen “ALS”, e...

Berlini përgatitet për konsultime me administratën Biden

Lehtësimi i jashtëzakonshëm u shpreh në Gjermani që kur Joe Bideni i fitoi zgjedhjet presidenciale. Kurse të mërkurën (20.01.), kancelarja Angela Merkel i shkroi...

Samsung u ngrit si një dyqan që shiste perime, dhe kuriozitete që nuk i dinit

Sistemi ligjor i Japonisë ka një normë dënimi prej 99 për qind. Peshkimi mbetet profesioni i dytë më i rrezikshëm i Shteteve të Bashkuara, pas...

Analisti: Basha do ketë Tiranën, ja kush do jetë drejtuesi i PD në Gjirokastër

Partia Demokratike ka emëruar drejtuesit politik në pjesën më të madhe të qarqeve, ndërkohë që janë ende për t’u zbuluar se cilët do të...

A do jetë sërish kandidat për deputet? Ja si përgjigjet Ervin Salianji

Ervin Salianji është shprehur se ekziston mundësia që ai të jetë kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike. I ftuar në “Zonë e lirë”,...