Nga Robert Amsterdam “The Hill”
Prej disa vitesh, gjyqësori në Brazil është përpjekur të hetojë dhe ndjekë penalisht figura të fuqishme publike, në një hetim anti-korrupsion të njohur si “Lava Jato” (Lavazhi). Kjo betejë për drejtësi, fitoi admirim nga mediat brenda dhe jashtë vendit, duke e shndërruar gjyqësorin brazialian në një model të supozuar për pjesën tjetër të Amerikës Latine, dhe botës në zhvillim.
Dhe tek e fundit pse jo? Në një vend të njohur për mosndëshkimin e zyrtarëve të korruptuar, nisën befas të preken të paprekshmit. Zhvillimet dramatike ishin aq tërheqëse, saqë shumë njerëz brenda dhe jashtë vendit, ishin të kënaqur teksa mbyllnin njërin sy ndaj parregullsive procedurale të proceseve gjyqësore.
Dhe kjo pasi hetimi u personalizua nga një njeri, Sergio Moro, kryetari i trupës që mbikëqyrte hetimin, dhe që sot është Ministër i Drejtësisë. Por tani, me zbulimet më të fundit që flasin për një bashkëpunim të mëhershëm mes Moro dhe Deltan Dallagnol, prokurorit kryesor të çështjes, narrativa se Brazili po kryeson luftën kundër korrupsionit, po diskretitohet.
Dhe së bashku me të, edhe ideja se ata që e udhëheqin luftën kundër korrupsionit, janë disi më të imunizuar nga vetë korrupsioni. Reagimet në Brazil kanë qenë të forta. Pjesa dërrmuese e të majtës në opozitë, dhe mbështetësit e ish-presidentit të burgosur Luiz Inacio Lula da Silva, thonë se i gjithë hetimi dhe dënimi që pasoi, duhen shpallur të pavlefshme.
Në të djathtë, mbështetësit e presidentit aktual Jair Bolsonaro, pohojnë se ajo që bëri gjykatësi Moro është disi i pranueshme, pasi Partia e Punëtorëve duhej të largohej me çdo kusht nga pushteti, çka përbën një përbuzje serioze ndaj sundimit të ligjit. Por shoqëria dhe elita intelektuale e Brazilit, ndihet e tradhtuar. Si mundi Moro, një figurë ikonë e drejtësisë në një vend që vuan nga mossundimi i ligjit, të lejonte të njollosej nga politika një hetim kaq i rëndësishëm?
Për analistët e zhgënjyer të Brazilit dhe mbështetësit e luftës kundër korrupsionit, i vetmi ngushëllim është ky:mjerisht trajektorja e trishtë e dosjes “Lava Jato”, nuk është diçka e pazakontë, madje është një tendencë që e shohim në shumë sisteme të tjera gjyqësore. Fakt është se fushatat anti-korrupsion, janë rrallë imune ndaj politikës.
Herë pas here, edhe tek nismat më të pastra, zbulohen mekanizmat politikë që i drejtojnë nga pas. Dhe nuk janë vetëm udhëheqës si ai rus Vladimir Putin dhe ai kinez Xi Jinping, që gjejnë mënyrat për t’i përdorur hetimet për korrupsion si një armë politike. Kjo është një dinamikë që ne e shohim në mbarë spektrin politik, madje edhe tek demokracitë më të forta dhe më të konsoliduara.
Shihni rastin tjetër në Korenë e Jugut. Vetëm pak vite më parë presidenti Moon Jae-in, u zgjodh duke premtuar çrrënjosjen e korrupsionit që kishte ekzistuar prej kohësh nën sipërfaqen e politikës koreane. Mediat e pagëzuan presidentin si një “tigër anti-korrupsion”. Por shumë shpejt, beteja anti-korrupsion, degradoi në një luftë të mirëfilltë politike.
Është një model që e kemi parë herë pas here, nga Vietnami, Liban, dhe deri në Kenia . Lufta anti-korrupsion është shndërruar në një mjet të fuqishëm propagande, sidomos pak për shkak të popullaritetit që gëzon në mënyrë gati të pashmangshme në mesin e popullit. Tek e fundit korrupsioni, është pa dyshim diçka e keqe.
Rrjedhimisht, anti-korrupsioni është pa dyshim diçka e mirë. Duke shfrytëzuar mbështetjen popullore si një burim legjitimiteti, ata që ndërmarrin beteja të tilla, mund t’i zbatojnë sipas dëshirës normat procedurale, për sa kohë që kjo ndodh relativisht në heshtje, duke e ditur që opinioni i publikut – dhe ç’është më e rëndësishmja, analistët – do të qëndrojnë në anën e tyre.
Ndërsa qeveritë në mbarë botën, vazhdojnë luftën kundër korrupsionit, qytetarët dhe sidomos mediat kanë detyrimin të jenë syçelët.
Një proces i rregullt ligjor dhe prezumimi i pafajësisë, mund të jenë jo popullorë në klimën aktuale politike. Ato mund të bëjnë raportimin mediatik më pak joshës, dhe më të ndërlikuar. Por mbeten gjithsesi thelbësorë, për çdo sistem që dëshiron të quhet demokratik.
Për të pasur sukses në të ardhmen, lufta kundër korrupsionit ka nevojë për më pak duartrokitës dhe për më shumë vëzhgues të kthjellët. Në të kundërt, episodet si ai në Brazil, do të bëhen më të zakonshme, ashtu po kështu edhe zbehja e besimit, që e shoqëron zakonisht këtë luftë./ TIRANA TODAY