Si mund ta forcojë Makron rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor?

Nga: Tefta Kelmendi & Engjellushe Morina “European Council on Foreign Relations”

Zgjedhjet e parakohshme të këtij muaji në Kosovë, prodhuan një fitues të qartë, partinë e të majtës, Vetëvendosje. Por ky rezultat, ngriti gjithashtu pikëpyetje të reja në lidhje me të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi, forumi kryesor përmes të cilit të dyja vendet ndërveprojnë për çështjet politike.

Menjëherë pas zgjedhjeve, udhëheqësit e sapozgjedhur të Kosovës dhanë sinjale të qarta se dialogu nuk ishte ndër prioritetet e tyre. Nëse dialogu do të ketë sukses, ai do të ketë nevojë për një shtytje nga diku tjetër, sidomos nga figurat politike të jashtme. Dhe një figurë e tillë mund të jetë presidenti francez Emanuel Makron.

Ai ka kredenciale të forta në Kosovë, pasi ka dëshmuar prej kohësh një përkushtim ndaj Ballkanit Perëndimor. Në vitin 2018 ai e priti në një takim pune në Paris ish-presidentin Hashim Thaçi, ku shprehu gatishmërinë e tij për të çuar përpara dialogun me Serbinë. Gjithashtu, Makron gjithashtu ka qenë shumë aktiv në forcimin  e marrëdhënieve të Francës me Serbinë, duke e mirëpritur presidentin e saj, Aleksandër Vuçiç, në Paris në fillim të këtij muaji.

Vetë Makron e vizitoi Serbinë në vitin 2019, kur u nënshkruan marrëveshje të shumta dypalëshe, përfshirë investimet në aeroportin e Beogradit, ndërtimin e metrosë, dhe një marrëveshje midis ministrive të mbrojtjes për blerjen e sistemeve franceze të mbrojtjes “Mistral 3”.

Makron ka bërë që të ndihet prania e tij në rajon edhe në mënyra të tjera. Në vitin 2019, ai bllokoi perspektivat e anëtarësimit në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Presidenti francez kërkon reformimin e unionit, para se të pranohen kandidatë të rinj.

Kjo qasje ka qenë zhgënjyese për liderët politikë në Ballkanin Perëndimor, por edhe për kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila ka kohë që ushtron presion për zgjerimin e BE-së në rajon. Qëndrimi i Makron e ka dobësuar edhe vetë BE-në.

Vetoja e Francës 2 vjet më parë, e diskreditoi shumë politikën e zgjerimit si një instrument të politikës së jashtme, dhe e minoi besimin e vendeve të rajonit, nëse ato mund të  mbështeten realisht tek Brukseli. Mos-shtrirja e BE në Ballkanin Perëndimor, përbën një kërcënim sigurie jo vetëm për vendet e pambrojtura të rajonit, por ajo krijon gjithashtu rreziqe për BE dhe vendet e saj anëtare.

Për momentin, nuk ka arsye të brendshme që Makron të ndryshojë qëndrimin e tij. Por nëse ai do ta bënte këtë, kjo gjë do të kishte pasoja të konsiderueshme në rajon. Një ndryshim i tillë mund të çojë përpara progresin në dy fusha të lidhura:marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, dhe forcimin e sigurisë në rajon.

Konflikti i zgjatur midis Kosovës dhe Serbisë, është një çështje madhore që kërkon vëmendje të veçantë dhe mbështetje politike nga BE. Gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme, është bërë gjithnjë e më komplekse vitet e fundit. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, ka hasur në shumë pengesa, të tilla si ndërprerja e bisedimeve mbi shkëmbimet territoriale midis presidentëve të dy vendeve në vitet 2018 dhe 2019.

Çështja e një shkëmbimi të tillë është tani në tryezë, por BE-ja e ka të vështirë të ketë një qëndrim i unifikuar mbi dialogun dhe për vetë Kosovën. Franca dhe Gjermania, kanë fuqinë më të madhe në rajon nga të gjitha vendet e BE-së.

Në veçanti Merkel, ka kultivuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me udhëheqësit rajonalë dhe gjatë 15 viteve të fundit, duke i kuptuar më mirë proceset politike të Ballkanit Perëndimor.

Berlini, Parisi, Brukseli dhe Uashingtoni, i mirëpritën rezultatet e zgjedhjeve të fundit, por mbeten të shqetësuar nëse udhëheqësit e rinj kosovarë do të përfshihen në dialog me Serbinë. Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar dialogun e udhëhequr nga qeveritë e mëparshme.

Por në mesazhet e urimit që ai mori nga Brukseli dhe nga Berlini dhe Parisi, është e qartë se BE është e prirur të vazhdojë lehtësimin e dialogut. Makron mund t’i japë dialogut një shtysë, duke e bërë të qartë mbështetjen e tij të plotë për forcimin e politikës së jashtme të BE-së në rajon, dhe në veçanti drejt dialogut Prishtinë-Beograd.

BE-ja duhet të demonstrojë se është e aftë të zgjidhë problemet në kontinentin e saj, qoftë brenda BE-së apo në fqinjësinë e saj. Prandaj, mbështetja politike e Makron në Evropë për këtë proces është thelbësore.

Nëse Makron vazhdon që të mbrojë konceptin e autonomisë strategjike evropiane, dhe të një “Evrope politikisht më të fortë’, duke e vendosur veten si udhëheqës i saj, ai nuk ka gjasa të lejojë që interesat evropiane në Ballkanin Perëndimor të kompromentohen nga Rusia dhe Kina.

Por një marrëveshje e qëndrueshme midis Serbisë dhe Kosovës, që përfshin njohjen e ndërsjellë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duket e pamundur për sa kohë që

Franca refuzon të ndryshojë pozicionin e saj për zgjerimin. Nëse Franca nuk mbështet anëtarësimin e Serbisë në BE, Beogradi nuk do të ketë asnjë nxitje për të nënshkruar një marrëveshje paqeje me Kosovën.

Si një forcë lëvizëse brenda BE-së, Franca mund të jetë lojtarja kryesor që të ringjallë përparimin në Ballkanin Perëndimor. Si fillim, ajo duhet të rishikojë pozicionin e saj ndaj zgjerimit, që do të mbetet leva më e fortë – dhe ndoshta e vetme reale – që Makron do të përdorë në përpjekjet për të arritur rezultate konkrete, nga të cilat do përfitojë siguria afatgjatë e Evropës.

Dhe nëse ai dëshiron t’i qëndrojë besnik realizimit të autonomisë strategjike evropiane, atëherë ai duhet të jetë më vigjilent ndaj rolit të Evropës në sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme tani, me largimin e afërt të Merkel nga politika gjermane.

Burimi i lajmit: https://ecfr.eu/article/how-macron-can-strengthen-the-eu-in-the-western-balkans/

Përshatatur nga TIRANA TODAY