E shtunë, 24 Korrik, 2021
19.5 C
Tirana

Si lindi besëtytnia, sipas së cilës pasqyrat e thyera ndjellin fatin e keq?

Nga: Barry Markovsky “The Conversation”

Çdo kulturë njerëzore ka besëtytni. Në disa shoqëri aziatike, njerëzit besojnë se pastrimi i dyshemesë pas perëndimit të diellit ndjell fatin e keq, apo se është një mallkim të lësh shkopinjtë në këmbë në një tas me oriz. Në SHBA, disa njerëz i kap paniku nëse ecin nën një shkallë apo shohin një mace të zezë që u ndërpret rrugën.

Po ashtu shumë godina të larta nuk i etiketojnë katet e tyre të 13-ta, për shkak të lidhjes të këtij numri me fatin e keq. Origjina e shumë besëtytnive nuk dihet. Shumë të tjera mund ta kenë origjinën në kohë specifike në histori.

Në këtë kategori është një besëtytni që është 2.000-2.700 vjeçare:Thyerja e një pasqyre sjell 7 vjet fat të keq. Në Greqinë e Lashtë dhe në Perandorinë Romake, imazhet e pasqyruara mendohej se kishin fuqi misterioze. Ka shumë të ngjarë që në një nga ato kohëra besëtytnia e pasqyrës të ketë nisur të fitojë shumë popullaritet.

Si një psikolog social që studion mënyra të ndryshme me të cilat njerëzit ndikojnë tek njëri-tjetri, unë habitem kur shoh grupe që gjenerojnë besime që janë “konstruksione shoqërore” të pastra, pa pasur domosdoshmërisht ndonjë bazë në realitet.

Unë argumentoj se besëtytnia rreth pasqyrës së thyer, mund të jetë e rrënjosur në këto besime antike. Grekët besonin se reflektimi i dikujt në sipërfaqen e një pellgu uji, zbulonte shpirtin e tij. Por ishin artizanët romakë, ata që mësuan të prodhonin pasqyra nga sipërfaqet e lëmuara metalike, dhe që besonin se përmes këtyre pajisjeve Perënditë e tyre ua vëzhgonin shpirtrat.

Dëmtimi i një pasqyre, konsiderohej një gjest kaq shumë i rëndë, saqë njerëzit mendonin se i detyronte Perënditë të lëshonin fat të keq mbi cilindo që ishte aq i pakujdesshëm. Rreth shekullit III, pasqyrat nisën të prodhoheshin nga qelqi, dhe thyerja e tyre u bë shumë më e zakonshme.

Por romakët nuk besonin se fati i keq që pasonte nga një ngjarje e tillë do të zgjaste përgjithmonë. Ata besonin se trupi ripërtërihej çdo shtatë vjet. Besimi se fati i mirë do të kthehej përfundimisht ishte sigurisht ngushëllues, dhe njerëzit kanë qenë gjithmonë të prirur të besojnë gjëra që i bëjnë ata të ndihen mirë, edhe kur ato nuk janë të vërteta.

Mendja e njeriut kërkon vazhdimisht dhe në mënyrë të pavetëdijshme modele të dobishme. Për shembull, ne mbijetojmë duke njohur modelet e të ushqyerit, dhe e vendosim veten në vendet e duhura dhe kohën e duhur për vaktet që konsumojmë. Po ashtu ne shmangim gjithnjë lëndimet ose vdekjen kur kalojmë në një rrugë me trafik, dhe e bëjmë këtë duke njohur modelet e trafikut.

Ushqimi dhe shmangia e lëndimeve në trafik, përfshijnë të mësuarit me modele të vërteta shkak-pasojë. Por ndonjëherë, truri ynë krijon pak modele shkak-pasojë, të cilat nuk janë reale. Supozoni se një mik ju jep një “monedhë fatndjellëse”.

Ju jeni skeptik, por kalojnë disa ditë dhe nuk ndodh asgjë e keqe. Edhe pse është vetëm një rastësi, truri juaj mund të krijojë ende një model, dhe ju mund të filloni të besoni se monedha e dhuruar ishte ajo që e shkaktoi fatin e mirë. Në këtë moment lind një besëtytni.

Por ne gjithashtu fitojmë besëtytni gjatë socializmit me të tjerët, duke mësuar rreth tyre nga prindërit dhe autoritetet e tjera të besuara, në një kohë kur jemi ende të rinj dhe të hapur ndaj një bote plot me mundësi magjike.

Pastaj besëtytnitë tona qarkullojnë për një kohë të pacaktuar midis familjeve dhe miqve, të përforcuara nga tregimet gojë më gojë, mediat sociale dhe masmediat. Sa më shumë njerëz që e mbështesin një besëtytni, aq më e besueshme duket ajo dhe aq më gjatë do të vazhdojë.

Nëse një besëtytni ndodh që të na bëjë më të kujdesshëm rreth pasqyrave, kjo nuk ka asgjë të keqe. Në përgjithësi, besëtytnitë mund të ulin stresin, dhe të përmirësojnë performancën kur gjendemi në situata të vështira. Gjithashtu ato mund të jenë argëtuese dhe interesante për të folur rreth tyre edhe të promovojnë solidaritetin në grup.

Nga ana tjetër, duhet të kemi kujdes. Supersticionet janë besime të rreme, të cilat mund të prodhojnë shpesh ankth dhe faj. Ato mund të na bëjnë të ndjehemi përgjegjës për rezultatet e këqija që nuk i kemi shkaktuar, ose të harxhojnë energjinë tonë duke kërkuar rrugë të shkurtra dhe të paqëndrueshme për rezultatet e dëshiruara. Vetëm arsyeja e shëndoshë duhet të jetë arsye e mjaftueshme për të na frenuar nga shkatërrimi i pasqyrave.

Burimi i lajmit: https://theconversation.com/how-did-the-superstition-that-broken-mirrors-cause-bad-luck-start-and-why-does-it-still-exist-162889

Përshtatur nga TIRANA TODAY

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Shembet ura në Siberi, bllokohet hekurudha më e gjatë në botë

Vërshimet si pasojë e reshjeve të furishme në Siberi kanë çuar në shembjen e një urë, duke e shkëputur hekurudhën siberiane, më e gjata...

Kina vendos sanksione ndaj shtatë shtetasve amerikanë

Kina njoftoi të premten se po vendos sanksione ndaj disa shtetasve amerikanë në përgjigje të sanksionimit nga ana e Shteteve të Bashkuara të shtatë...

KPK, pikëpyetje për pasurinë dhe profesionalizmin e prokurores Daniela Sulaj

Prokurorja Daniela Sulaj, e komanduar si inspektore pranë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, u përball të premten më 23 korrik me Komisionin e Pavarur...

Gjykata i refuzon kërkesën për liri, Hashim Thaçi mbetet në paraburgim

Gjykata Speciale e Hagës ka marrë vendim që t’i refuzohet kërkesa ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, që ky i fundit të mbrohet në liri. Edhe...

Koronavirusi, Manastirliu tregon numrin e të vaksinuarve në 24 orët e fundit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar shifrat e të vaksinuarve kundër koronavirusit në vend. Manastirliu bën me dije, se mbi 13...