Nga: Judy Dempsey “Carnegie Europe”
Angela Merkel nuk mund të bëjë asnjë gabim. Ndërsa udhëheqësit e tjerë në të dyja anët e Atlantikut dështuan një vit më parë në përgjigjet e tyre fillestare ndaj koronavirusit, kancelarja gjermane mishëroi udhëheqjen e qëndrueshme dhe nervat e forta.
Fjalimet e herëpashershme televizive përçonin një ndjeshmëri që deri dje ishte e huaj për një udhëheqës që normalisht u shmanget emocioneve dhe publicitetit. Sondazhet e bënë Merkelin pothuajse të pathyeshme dhe të domosdoshme. Kjo deri muajt e fundit.
Një valë e dytë e koronavirusit – dhe tani një e tretë e nxitur nga një mutacion që u përhap nga Britania e Madhe- dhe një shpërndarje e ngadaltë e vaksinave, e ka detyruar bllokun konservator të Merkelit të luftojë tani për të frenuar dëmet.
Numri i rasteve të reja me Covid-19 në Gjermani mbetet me kokëfortësi i lartë. Numri i vaksinave në dispozicion mbetet i ulët. Ky dëm po e gërryen mbështetjen për Merkelin dhe partinë e saj Unioni Kristiandemokrat, qën uk ka vendosur ende se kush do të jetë kandidati për ta pasuar Merkelin pas mandatit të saj të katërt dhe të fundit.
Dhe një pasiguri e tillë, po krijon një vakum të padëshirueshëm të lidershipit në ekonominë më të madhe të Evropës. Në një kohë kur administrata e presidentit amerikan Xho Bajden u ka dhënë amerikanëve një ngritje të nevojshme të moralit, duke miratuar një paketë ndihme prej 1.9 trilionë dollarësh, parlamentet evropiane duhet që të miratojnë paketën e BE-së 1.8 trilionë euro, që synon rindërtimin e një Evropës post-pandemike.
Por mungesa e lidershipit në Berlin dhe kryeqytetet e tjera evropiane,është një ogur i keq ndaj shpresës për një rimëkëmbje të shpejtë pasi të ketë mbaruar pandemia. Ndoshta është koha që Merkel të tërhiqet dhe t’ia dorëzojë pushtetin pasardhëses së saj. Por gjërat nuk janë aq të thjeshta.
Blloku konservator, që përbëhet nga Kristiandemokratët dhe partia Unini Kristiansocial në Bavari (CSU), nuk kanë zgjedhur akoma një kandidat të përbashkët për të garuar në zgjedhjet parlamentare të shtatorit. Në janar, CDU zgjodhi Armin Lashet si udhëheqësin e saj të ri – por jo si kandidatin e vet për kancelar.
Menaxhimi i tij i dobët i koronavirusit, plus disa skandale që përfshijnë djalin e tij, ia kanë zbehur ndjeshëm popullaritetin. Sondazhet tregojnë se ai nuk ka asnjë shans që të bëhet kancelari i ardhshëm i Gjermanisë. Pretendenti tjetër kryesor – dhe shumë popullor në vend – është Markus Soder, udhëheqësi i CSU-së.
Ai ka qenë shumë i vlerësuar për menaxhimin e pandemisë. Blloku konservator ka rënë dakord që të zgjedhë në maj kandidatin e tij. Po pse jo tani? Le ti lejojnë votuesit që të shprehin përshtypjen e tyre mbi kandidatin në trajtimin e kësaj krize jashtëzakonisht të ndërlikuar, duke e lënë mënjanë Merkelin.
Por gjykuar nga rezultatet e 2 palë zgjedhjeve rajonale të mbajtura në 14 mars në Baden-Vyrtemberg dhe Rineland-Palatinate, do të kishte jo pak kontestime. Kjo pasi të Gjelbrit u ngjitën sërish në pushtet në landin e parë, ndërsa sociademokratët e qendrës së majtë në të dytin. Demokristianët humbën shumë terren në të dy rajonet.
Megjithëse mbeten ende disa muaj përpara zgjedhjeve të shtatorit, të Gjelbrit mund të përfundojë si partia më e madhe. Humbja në zgjedhjet e fundit për Kristiandemokratët nuk ishte vetëm për shkak të një skandalit me blerjen e maskave që përfshiu disa nga deputetët e kësaj partie.
Ndërkohë durimi i njerëzve është sosur edhe për shkak të bllokimeve të pafund, mungesës së perspektivës, dhe faktit që kaq shumë fëmijë janë mbajtur larg shkollës për muaj të tërë.
Mbi të gjitha, koronavirusi e ka dëmtuar imazhin e Gjermanisë si një vend efikas, që drejtohet mirë, dhe që është i aftë të përballet me një krizë të përmasave të mëdha si kjo aktualja. Merkel duhet të marrë përgjegjësinë për disa nga këto mungesa, të cilat kanë treguar se si Gjermania është tërësisht e papërgatitur për t’u marrë me sfida të mëdha teknologjike.
E para është dixhitalizimi. Qasja e paktë në internet dhe mungesa e koordinimit midis autoriteteve shëndetësore në të gjithë vendin, janë të turpshme për një vend kaq të pasur dhe të pajisur me talente dhe me qendra të shkëlqyera kërkimore. Shkollat nuk kanë një platformë mësimore uniforme në internet.
Lidhjet me rrjetin kanë vazhdimisht probleme. Arsimi nuk është një përgjegjësi federale por një prerogativë e 17 rajoneve të Gjermanisë. Por këto autoritete kishin në dispozicion gjithë verën e vitit të kaluar për të ndërtuar sisteme të provuara paraprakisht.
Ajo që e përkeqëson më tej ecurinë e kësaj ekonomie të padixhitalizuar, është burokracia e rëndë gjermane. Në disa mënyra, dixhitalizimi paraqet një sfidë të drejtpërdrejtë për burokracinë. Pra, kur Merkel dhe ministrat e saj flasin për marrjen e vendimeve burokratike, sidomos kur është fjala për përshpejtimin e shkallës së vaksinimit, kjo bie në vesh të shurdhër.
Disa mjekë me të cilët kam biseduar, ankohen se edhe kur në qendrat shëndetësore mbërrijnë më shumë vaksina, personeli mjekësor nuk mund t’i përdorë ato. Refreni është:“Emri juaj nuk është në listë!”. Në këtë krizë nuk ka fituar as fleksibiliteti dhe as gatishmëria.
Dhe vendimi i qeverisë për të ndaluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca për arsye shëndetësore nuk ndihmon aspak. E tillë është gjendja e lojës në Gjermani. Ashtu si në vendet e tjera të BE-së, koronavirusi duhet të jetë katalizatori për të trajtuar dobësitë teknologjike dhe të rezistencës së një pjese kaq të pasur të botës, dhe për t’u përgatitur për pandeminë tjetër. Gjermania dhe partnerët e saj janë paralajmëruar.
Burimi i lajmit: https://carnegieeurope.eu/strategiceurope/84090
Përshtatur nga TIRANA TODAY