Nga Ryan Heath “Politico.eu”
Presidenti amerikan Donald Trump, mendon se me çështjen e fajësimit, ka pësuar më shumë padrejtësi sesa dikur Shtrigat e Salemit. Por gjërat mund të shkonin edhe më keq. Ish-presidenti i Pakistanit Pervez Musharaf, u përball me një impeachment të mundshëm në vitin 2008, çka çoi edhe në dorëheqjen e tij.
Ndërkohë në fillim të kësaj jave, ai u dënua me vdekje për tradhti. Nga ana tjetër, Trump nuk është udhëheqësi i parë që përballet me mundësinë e shkarkimit. E njëjta gjë po ndodh edhe me Kerri Lam, guvrnatoren e Hong Kongut. Lam i mbijetoi një votimi për shkarkim më 5 dhjetor, me një diferencë prej 10 votash, 36 kundër dhe 26 pro.
Por ajo nuk duhet të shqetësohet dhe aq shumë. Votimi ishte një hap i ndërmjetëm, dhe drejuesit e lartë të Partisë Komuniste në Pekin, ka të ngjarë të ndërhynin për t’i dhënë fund procesit, nëse ajo do të rezultonte humbëse. Ky është një luks që Trumpi nuk do ta ketë, nëse gjyqi i tij i afërt në Senatin e SHBA-së, do të shprehet befas kundër tij.
Rastet e Trump, Musharaf dhe Lam, shtrojnë pyetjen se si vendet në mbarë botën, u japin mundësi ligjvënësve dhe qytetarëve, të largojnë nga postet e tyre zyrtarët më të lartë të vendit. Në sistemet parlamentare, drejtuesi i një qeverie kombëtare, mund të zëvendësohet zakonisht për çdo lloj arsye, nëse ka humbur besimin e shumicës së anëtarëve të dhomës së ulët të parlamentit (ekuivalenti i Kongresit Amerikan).
Impeachment-i presidencial në stilin amerikan, ekziston në vende si India, Brazili, Rusia, Franca, Gjermania, Koreja e Jugut, Filipinet, Austria, Hungaria, Bullgaria dhe Irlanda. Ndërsa ligjvënësit amerikanë e kanë përdorur këtë procedurë 3 herë, lidere botërore në lidhje me impeachment-in është Norvegjia.
Ajo e modeloi sistemin e saj sipas atij të Shteteve të Bashkuara, dhe që para vitit 1927, kishte ndërmarrë 8 procedura për shkarkimin e kryeministrit të vendit. Kjo deri kur mekanizmi kushtetues ndryshoi, pas një përpjekjeje të dështuar për të shkarkuar kryeministrin dhe 6 anëtarë të kabinetit të tij.
Brazili ofron shembullin më të fundit të një impeachment-i të suksesshëm presidencial: shkarkimi i Dilma Rusef në vitin 2016. Dhoma e ulët e parlamentit, nisi procesin e shkarkimit, për shkak të një skandali mbi çështjet e menaxhimit të buxhetit, pas një procedure pothuajse identike me atë të përdorur në Shtetet e Bashkuara.
Rusef u shkarkua nga detyra, ndërsa vendin e saj e zuri zv/presidenti, teksa ajo ishte në pritje të vendimit përfundimtar të Senatit. Kreu i parë i shtetit në Evropë, që është shkarkuar përmes procedurës së impeachmen-it, ishte presidenti i Lituanisë Rolandas Paksas në vitin 2004.
Fajësimi ndaj një populisti të thekur si ai, dhe që kishte lidhje me biznesmenë të njohur rusë, u zhvillua në mesin e shqetësimeve të opinionit publik, për ndërhyrjen e Moskës në procesin politik të Lituanisë.
Por ngjashmëritë me presidentin amerikan Trump mbarojnë këtu: Paskas tha se ishte i penduar gjatë fjalës që mbajti para parlamentit, edhe pse kjo gjë nuk e shmangu largimin e tij nga detyra. Ndërsa gëzon imunitet nga ndjekja e rregullt penale, gjatë kohës që është në detyrë, presidenti francez mund të jetë subjekt i një ligji të ri të miratuar në vitin 2014, për çdo “shkelje të kompetencave të tij, që është qartësisht e papajtueshme me ushtrimin e mandatit”.
Që të nisë procesi i shkarkimit, duhet që 10 përqind e senatorëve dhe 10 përqind e deputetëve të dhomës të ulët, të nënshkruajnë një rezolutë të përbashkët. Për të vazhduar me tej, mbi fajësimin duhet të bien dakord dy të tretat e senatorëve dhe deputetëve. Ky akt, sjell formimin e një Gjykate të Lartë speciale, që merret me akuzat ndaj kreut të shtetit.
Dhe Republika Çeke, ndjek një model të ngjashëm. Ndërkohë, Italia ka një nga sistemet më inovative të impeachment-it. Shkaku i impeachment-it presidencial, duhet të jetë një tradhti e lartë, dhe nëse me këtë bie dakord një shumicë e thjeshtë në parlament, atëherë presidenti përballet me një juri e Gjykatës Kushtetuese, dhe nga një tjetër e përbërë nga 16 qytetarë të thjeshtë.
Por një sistem të tillë, nuk e kanë vetëm demokracitë perëndimore. Armiqtë e betuar të Trumpit, iranianët kanë gjithashtu një procedurë të impeachment-it. Abolhsan Banisadr, presidenti i parë i Iranit, u shkrakua me një procedurë të tillë në vitin 1981. Edhe anëtarët e kabinetit qeveritar Iranian, mund të shkarkohen nga parlamenti. Presidenti aktual, Hasan Ruhani, u përball këtë vit me thirrje të hapura publike për fajësimin dhe shkarkimin e tij./ TIRANA TODAY