E shtunë, 12 Qershor, 2021
27.5 C
Tirana

Si e prekën fundin pa lavdi Sali Berisha dhe Ilir Meta

Nga Alfred Peza

Ka një pafundësi arsyesh që i kanë çuar dy prej liderëve më jetëgjatë dhe më të rëndësishëm të 30 viteve të fundit në Shqipëri, drejt një fundi pa lavdi, të karrierës së tyre politike. Sali Berisha dhe Ilir Meta janë “takuar” në dhjetorin e 1990, kur u përballën me ish liderin komunist Ramiz Alia, derisa njëri e zëvendësoi pak muaj më vonë, ndërsa tjetri i ka ditët të numëruara për të dalë nga zyra e tij, pasi sot Parlamenti votoi për shkarkimin e tij si President i Republikës.

Ironia e madhe e jetës është, se si Sali Berisha që u vu shpejt në krye të PD, ashtu edhe Ilir Meta që u bashkua më vonë me PS, kërkonin të njëjtën gjë. Njëri nga pozicioni i pedagogut dhe tjetri nga ai i studentit, ishin të pakënaqur me udhëheqësit e përjetshëm të një pushteti monist. Derisa ata që u ngritën dje për ardhjen e pluralizmit në grahmat e fundit të monizmit, janë shndërruar sot të vetmit liderë monistë në pluralizëm!

Kur natyrshëm tek shkaku themelor që po i çon dy politikanët më jetëgjatë të postkomunizmit shqiptar drejt një fundi katastrofal. E ajo lidhet me kohën. Të qenurit në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, ishte ajo që ia shënjojë fillimisht, si Sali Berishës ashtu edhe Ilir Metës karrierën brilante politike që bënë më pas. E tani është sërisht koha, ajo që po i nxjerr ata jashtë, sepse janë shndërruar pa kuptuar në liderët e gabuar të një etape të re në historinë e Shqipërisë.

Në politikë si kudo tjetër, për të arritur në majë, ka një kohë për të hyrë por ka edhe një kohë për të dalë. Ka një kohë për tu ngjitur, por ka edhe një kohë për të zbritur. Ka një kohë për të folur, por ka edhe një kohë për të heshtur. Ka një kohë për të lulëzuar, por ka edhe një kohë për tu vyshkur. Ka një kohë të lavdishme, sikundër ka edhe një kohë të palavdishme. Ka një kohë kur duhet të thuash po, e ka gjithashtu një kohë tjetër për të thënë jo.

Nëse nuk arrin që ta gjesh këtë ekuilibër, që ti japësh gjërave të tua veç kohën që meritojnë, atëherë nëse ti nuk ikën vetë është ajo që të nxjerr jashtë. E nëse ti nuk arrin që ti zbatosh ligjësitë e kohës në politikë, ajo që dikur tu bë aleatja më e madhe, të shndërrohet në një sekondë të vetme në armikun tënd më të madh e të përjetshëm. Sepse siç ka thënë Winston Çhurchill “politika është eksituese sa lufta, e pothuajse po aq e rrezikshme. Politika nuk është lojë, por biznesi më serioz”!

Lexo edhe :   Berisha: Vendimi i DASH, vepër hakmarrëse e Ramës dhe Soros

Duke mos e kuptuar dot kohën e tyre, pasi i humbën instiktet e mbijetesës rrugës nëpër labirinthet e korrupsionit dhe krimeve që sjell çmimi i qëndrimit me çdo kusht në pushtet, Sali Berisha dhe Ilir Meta tentuan që ta shndërronin politikën në një lojë. Në një nga ato lojërat ku topi duhej të ishte gjithmonë vetëm i tyri dhe penalltinë ta gjuanin vetëm ata, ndërsa shqiptarët donin apo nuk donin ishin të detyruar ose ti shihnin ose ti braktisnin.

Duke mos nxjerrë asnjë mësim nga e shkuara, që ishte bërë sebepi për ti futur në skenën e madhe politike, ata nisën që të ndërtonin një të ardhme që mund të na çonte kudo përveçse jo tek zbatimi në praktikë i parrullës së famshme që pushtoi 3 dekada më parë sheshin e Qytetit Studenti dhe më pas ato të të gjithë vendit: E duam Shqipërinë, si gjithë Europa! Derisa erdhëm sot tek realiteti se si Sali Berisha, ashtu edhe Ilir Meta, kanë nga një parti politike personale që e trajtojnë si ta kishin pronë familjare.

Lexo edhe :   Paralajmëroi rikthimin në krye të PD, Berisha mesazh demokratëve (Foto)

Ndaj kur sot themi PD, nënkuptojmë Sali Berishën. E kur themi LSI, nënkuptojmë Ilir Metën. Nga prona publike të demokracisë, nga vlera të pluralizmit, nga pasuri të sistemit të lirisë ato u shndërruan në bunkerët e liderëve të tyre realë që po i përdorin prej kohësh si mburoja për mëkatet e së shkuarës dhe hallet e së tashmes. E për tia dalë me sukses, për të qeverisur të pakufizuar në kohë dhe hapësirë, prej vitesh e vitesh punuan e ia dolën që të mernin peng prokurorinë dhe sistemin gjyqësor. Ndaj çfarëdo shkelje ligjore dhe kushtetuese që të bënin, ata flinin të qetë, sepse në derën e tyre nuk do të trokiste kurrë drejtësia!

E kur koha thirri në skenë reformën më të thellë të shtetformimit modern që Shqipëria ka ndërmarrë ndonjëherë në këto 30 vitet e fundit, me ndihmën e pakursyer të SHBA dhe BE, Sali Berisha dhe Ilir Meta kuptuan se koha e tyre kishte mbaruar. Por nuk donin ta pranonin, ndaj bënë gjithçka për ta ndalur, e mundësisht për ti kthyer edhe njëherë akrepat e orës së saj mbrapsht.

Tani që SHBA e ka shpallur Sali Berishën e familjen e tij “non grata”, u kuptua se akuzave për korrupsion, iu bashkangjit edhe ajo e përpjekjeve për të minuar demokracinë. Ndërsa Ilir Meta, u shkarkua si President i Republikës, nga Parlamenti. Si i pari që u mor në Washington, ashtu edhe i dyti që u votua në Tiranë, janë vendime që aplikohen për herë të parë për këto nivele politike në historinë e Shqipërisë. Prova më e pakundërshtueshme kjo, se kur nuk arrin ta kuptosh momentin që duhet të ikësh vetë, e ke të sigurtë fundin pa lavdi! /javanews

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Shpërthimi i kontrolluar i ‘gjobës’ Becchetti

Nga: Agim Baçi Dikur qarkullonte në internet një letër që një vajzë i dërgonte së ëmës, e cila në thelbin e saj lidhej me gjetjen...

Uells-Zvicër/ Pjesa e parë pa gola, portierët vendimtarë me pritjet e tyre

Ka përfunduar me rrjeta të paprekura, pjesa e parë e ndjeshjes midis Zvicrës dhe Uellsit. Një 45 minutësh ku spektakël dhuruan portierët e skuadrave...

Vrasja e 20-vjeçares në Greqi, zbulohet makina me të cilën janë larguar autorët

Zbardhen detaje të reja në lidhje me vrasjen e 20-vjeçare britanike Caroline, e ndodhur pak javë më parë në Greqi. Në emisionin e gazetarit grek...

Fati i kryetarit të PD-së, 3 kandidatët që do të sfidojnë Lulzim Bashën

Nga: Marsela Sinani Lulzim Basha 47 vjeç, Fatbardh Kadilli 55 vjeç, Edith Harxhi 48 vjeçe dhe Agron Shehaj 44 vjeç, aderojnë në të njëjtën parti,...

Salianji: Gruevski si Rama mori mandat të tretë, por ra brenda një viti

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka bërë një paralelizëm të situatës aktuale politike në Shqipëri, të asaj para disa viteve në...