E hënë, 6 Dhjetor, 2021
9.5 C
Tirana

Si e kam njohur Hashim Thaçin

Nga: Mustafa Nano

Me Hashim Thaçin jam takuar për herë të parë në Kosovë. Ishte Mentor Nazarko, i cili shkonte e vinte në Kosovë, që një ditë prej ditësh më pyeti: “Do të doje të bëje një takim me Thaçin?” “Sigurisht”, i thashë. “Epo mirë, po lidhem me të dhe po caktojmë një ditë, kur neve do të na duhet t’i bëjmë një vizitë në zyrë a diku tjetër. Ok?” “Ok.” Dhe kështu u bë. Isha kureshtar të takoja “Gjarprin”, për të cilin deri në atë moment kisha dëgjuar lloj-lloj legjendash. Gati të gjithë njerëzit që ndërkohë e kishin takuar, teksa më tregonin përshtypjet e tyre, pajtoheshin të paktën në një gjë: Hashim Thaçi është shumë inteligjent. Dhe me këtë donin të thoshin shumë gjëra, donin të thoshin që kishte nuhatje, që asgjë nuk i shpëtonte shikimit të tij, që dinte të lexonte rrethanat ku i qëllonte të ndodhej, që dinte të njihte njerëzit, që dinte si t’ua fitonte zemrën këtyre të fundit, që kishte një sens të lindur leadershipi etj. Unë nuk pata mundësi, ç’është e vërteta, t’ia shquaja këto tipare në atë takim të parë që pata me të. Por as që më ka shkuar ndonjëherë mendja t’ia vë në dyshim.

Ishte viti 2008. Nuk u takuam në zyrë. Ai kishte planifikuar të drekonim bashkë, diku nja 30-40 minuta larg Prishtinës, dhe ne u takuam atje. Unë me Nazarkon, siç e donte puna, u kujdesëm që të mbërrinim të parët. Ndërsa Thaçi, siç ia donte rangu, erdhi pak më pas. Dhe erdhi vetë i dytë. Ishte me Fatmir Limajn. Dhe kështu, për sa më përkiste mua, takimit i rritej vetvetiu rëndësia. Do të drekoja me dy nga njerëzit më të rëndësishëm të UÇK-së, të cilët i kisha parë për herë të parë në një fotografi të kohës së luftës, të ulur prapa një tavoline të rrumbullakët, në ambient të hapur, duke dhënë një konferencë për shtypin, gjë që kuptohej nga fakti që mbi tavolinë gjendeshin nja dy mikrofona a diktofona. Fatmiri është kapur nga fotografi këmba mbi këmbë, në të djathtë të Thaçit, i cili nga ana e vet ka zënë qendrën e tavolinës dhe është i veshur civil, i vetmi i veshur civil, gjë që merret vetvetiu për shenjë statusi e pushteti, siç edhe ishte në të vërtetë. Në të majtë të Thaçit është dikush tjetër, dhe prapa tyre qëndrojnë dy djem me armë automatike në krahë, në roje të komandantëve të tyre. Të gjithë duket se kanë të njëjtën moshë, rreth të njëzetave. Shkurt, të pestë bënin më pak se 100 vjeç. Sikur për një moment t’i përfytyronim pa ato rroba ushtarake e në rrethana të jetës civile, ata do të dukeshin si një bandë muzikore. Ja, shiheni foton, dhe provojeni ta përfytyroni këtë gjë. Hashim Thaçi, zëri kryesor i bandës. Fatmiri zëri i dytë, e në të njëjtën kohë luan në një instrument. Tjetri gjithashtu. Ndërsa për dy rojet e trupit nga pas, përfytyrimi është fare i kollajtë. Kallashnikovët që mbajnë në duar, para gjoksit, është e lehtë të merren për kitara.

Kur hymë, unë e Nazarko nuk pamë njerëz të tjerë, dhe mendova: “Pse dreqin kanë parapëlqyer këtë restorant ku nuk paska fare klientë?”. Mirëpo më pas, pasi Thaçi e Limaj ia behën të shoqëruar me makina e roje trupi, unë e kuptova se restoranti në atë rast ishte prenotuar i tëri për ne. Më erdhi pak inat që nuk më kishte shkuar mendja se ata nuk mund të vinin në një restorant ashtu, si krejt rastësisht, pa lajmëruar, e të uleshin në mes të klientëve të zakonshëm. Ata ishin udhëheqës të një shteti të sapokrijuar, të cilin ishin të shumtë ata që do të donin ta sabotonin, e nuk kishte mënyrë më të mirë e më pak të kushtueshme për ta sabotuar sesa t’u organizoje ndonjë atentat udhëheqësve shtetërorë. E sikur të mos mjaftonte kjo, Thaçi e Limaj ishin ish-luftëtarë, e kjo në mendjen time përkthehej me armiq të shumtë që kishin krijuar rrugës e që mezi prisnin një rast për t’u hakmarrë. Kështu që nuk hoqa shumë për t’i dhënë kuptim asaj dreke, të ulur në cepin e një restoranti të zbrazët, e të rrethuar nga më shumë se njëzet roje trupi, siluetat e të cilëve më shfaqeshin tek-tuk edhe në dritaren përballë, teksa bënin ecejake jashtë. Po mendoni që një drekë të tillë nuk ke se për ç’e do? Përkundrazi, ishte një drekë shumë interesante. Ishte dreka më interesante ku unë jam ndodhur ndonjëherë. Ju që s’e keni provuar, nuk e keni idenë se çfarë keni humbur. Se ç’të jepte një shije të veçantë ai mjedis, ku kombinoheshin uniformat paqësore të kamerierëve, erëzat e pjatave të përgatitura, era e mishit, trupat e bëshëm të rojeve të trupit që rrinin aty rrotull, zërat që dilnin nga radiot e tyre policore, qytat e kallashnikovëve, pamja ime e shushatur etj.

Lexo edhe :   Hyjnë në fuqi masat e reja anti-Covid, transporti publik me dëshmi vaksinimi
Lexo edhe :   Hyjnë në fuqi masat e reja anti-Covid, transporti publik me dëshmi vaksinimi

Nuk e di se ç’marrëdhënie kanë sot Thaçi e Limaj me sho-shoqin, por në atë kohë ishin shumë të afërt. Unë jam i sigurt se gjetkë Limaj sillej me Thaçin si me boss-in e vet, por në atë tryezë rrinin si të barabartë. Dhe mua më ngjanin shumë me njëri-tjetrin. Kishin tipare të përbashkëta. Fjala vjen, nuk ishin njerëz të fjalëve të shumta. Ose të dy kishin zakonin që të shihnin në sy gjatë bisedës, një zakon që mua gjithnjë më ka pëlqyer te të tjerët. Ata të përfshinin mirë me shikim, teksa ti ishe duke folur. Edhe kur flisnin vetë, të shihnin në sy. Dhe kjo është mbresa që më ka mbetur më së shumti në mendje. Në atë drekë, përveçse u takova me dy njerëz që sapo kishin dalë nga një luftë me jehonë planetare e që ishin të destinuar të ishin etërit themelues të një shteti ende në shpërgënj, u takova me dy njerëz që të shihnin në sy.

Unë Hashim Thaçin nuk e kam takuar njëherë të dytë në rrethana kaq intime. Dhe kuptohet, nuk kam pretendimin që e njoh. Nuk kam as ndonjë ide të saktë se ç’ka ndodhur më pas me të (ai ka pasur shumë pushtet, dhe një gjë e tillë është e sigurt se nuk i bën mirë askujt), por kur shoh e dëgjoj shumë njerëz, mes tyre dhe kosovarë, që tezën gjenuine mbi shkëmbimin e territoreve e shohin si një provë tradhtie nga ana e tij, më vjen për të qeshur. Dhe më vjen t’u them këtyre të fundit: Mendoni sa të doni gjëra të çuditshme, mendoni që seksi është i dëmshëm, që leximet e shumta të prishin mendsh, që pas vdekjes ka një jetë tjetër, që raporti i perimetrit të rrethit me diametrin e tij është shumë më i madh sesa konstantja matematike π (pi), që ju vetë jeni më të mençur se Isac Newton-i, që serbët ka kuptim të mbeten armiq të përjetshëm, por mos mendoni që Hashim Thaçi është tradhtar!/ Gazeta Liberale

 

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

S’ka më sekrete/ Ja kur do të mbahet Festivali i 60-të i Këngës në RTSH

Edicioni i 60-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar do të përfcillet LIVE për publikun shqiptar në mbrëmjet e 27,28 dhe 29...

Ekzekutimi i ish-deputetit, bashkëshortja nxjerr emrat dhe ndryshon dëshminë

Natalina Ujka, bashkëshortja e biznesmenit shkodran Pashko Ujka, ka treguar për grupin hetimor se personat me të cilët bashkëshorti i saj ka pasur konflikte...

Misteret e pazgjidhura të Luftës së Dytë Botërore

Ne të gjithë i duam misteret, dhe Lufta e Dytë Botërore siguroi shumë të tilla. Shkalla e madhe e luftimeve dhe e taktikave të tokës së djegur, solli...

Ish-banori i “Big Brother”: Donaldi nuk është fitues, mes çiftit s’ka dashuri

Ish-banori i “Big Brother”, Adi Pojana, teksa ishte i ftuar në studion e “Shqipëria Live”, ka komentuar lidhjen e shumëpërfolur mes Donaldit dhe Beatrix. Për...

“Shkelje financiare”, arrestohet presidenti i klubit italian

Presidenti i një prej klubeve të Serisë A është vënë në pranga, për shkelje financiare mes të cilave edhe deklarimin e falimentit të kompanive...