Bota

Si duhet ta gjejë Evropa vendin e saj në botë


               Publikuar në : 10:36 - 23/01/20 M S

Nga: Sigmar Gabriel & Michael Huther “Project Syndicate”

Bashkimi Evropian dhe sidomos Gjermania, duhet ende të ngrihen në lartësinë e sfidës së paraqitur nga tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga udhëheqja globale. Por, duke pasur parasysh konkurrencën e re që vjen nga Kina, bashkë me aspiratat e ripërtërira të fuqisë së madhe nga Rusia, vendet perëndimore duhet të gjejnë një mënyrë për të bashkëpunuar më ngushtë me njëra-tjetrën.

Në funksion të këtij qëllimi, janë thelbësore 5 çështje. E para është marrëdhënia e Gjermanisë me SHBA-në, që aktualisht gjendet nën një presion të madh. Problemi kryesor, është dështimi i Gjermanisë për të rritur shpenzimet vjetore për mbrojtjen në nivelin 2 për qind të PBB-së, siç ra dakord në samitin e NATO-s të vitit 2014 në Uells.

Për arsye të qarta historike, Gjermania ka ngurruar të bëhet de fakto fuqia ushtarake e Evropës. Nëse do të përmbushë angazhimin e saj për shpenzimet në mbrojtje, ajo do të ndante 80 miliardë euro në vit për Bundesëehr (ushtrinë gjermane), ose 46 miliardë euro më shumë sesa shpenzon aktualisht Franca.

Gjithsesi, për të bërë pjesën e vet brenda aleancës, pa ngjallur frikë në Evropën Lindore, Berlini mund të shpenzojë 1.5 për qind të PBB-së së tij për materiale dhe personel, dhe një shetsë prej 0.5 për qind për të financuar operacionet e NATO-s në Balltik dhe në Poloni. Kjo do të forconte aftësinë e shteteve anëtare lindore, për të mbrojtur veten ndaj agresionit rus, dhe do të tregonte gatishmërinë e Gjermanisë për të marrë më shumë përgjegjësi.

Çëhtja e dytë madhore ka të bëjë me raportet SHBA-BE. Sfidat emergjente me të cilat përballen Amerika dhe Evropa, kanë ndryshuar gjatë 7 dekadave të fundit. Kohët e fundit, Rusia e ka zgjeruar sferën e saj të ndikimit në Krime, Ukrainën lindore dhe Detin Azov. Ndërsa Kina ka filluar të mbrojë dominimin e saj ekonomik dhe teknologjik në Euroazi.

Njëkohësisht, demokracitë perëndimore po përballen me problemet e shkaktuara nga globalizimi, migracioni, teknologjia dhe ndryshimi i klimës. Në kushtet e përkeqësimit të sigurisë ekonomike dhe kohezionit social, lëvizjet populiste dhe ato nacionaliste, kanë shfrytëzuar ankthet e votuesve, duke premtuar të mbrojnë atdheun kundër elitave kozmopolite dhe institucioneve shumëpalëshe, që kanë drejtuar politikën dhe ekonominë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Përkundër retorikës populiste, globalizimi ekonomik ka sjellë në fakt zhvillim, e ka reduktuar varfërinë, si dhe ka hapur mundësi të reja zhvillimi në mbarë botën. Por pa mbështetjen e Perëndimit, ky sistem nuk mund të mbetet i qëndrueshëm.

Ajo që na duhet tani për të çelur mundësi të reja për rendin botëror, është një globalizim i shoqërisë civile, dhe kujtesa ndaj njerëzit dhe komuniteteve, se shteti ende i aftë të veprojë në mënyrë efektive. Kjo fillon me më shumë investime në arsim, kërkim shkencor dhe infrastrukturë, ndërsa krijohet një ekuilibër midis bashkëpunimit ndërkufitar, dhe respektimit të veçanëtive kulturore.

Dhe kjo na sjell tek çështja e tretë:Rusia. Ndjekja e një politike të ekuilibruar nga BE ndaj Moskës, ka krijuar fërkime brenda aleancës transatlantike, siç është parë edhe nga tensionet mbi gazjellësin “Nord Stream 2”, një projekt i përbashkët ruso-gjerman. Sipas qeverisë gjermane, “Nord Stream 2” është thelbësisht një çështje ekonomike.

Tek e fundit, kompanitë gjermane, franceze dhe të tjera evropiane kanë investuar shumë në këtë projekt. Dhe në çdo rast, ndërhyrja në tregun evropian privat të gazit, do të ishte një gabim i madh politik. Liberalizimi i tregut të gazit, ka mundësuar në të vërtetë një zgjerim të jashtëzakonshëm të furnizimit me energji të Evropës.

Në fund, janë kompanitë ato që duke ndjekur sinjalet e tregut, duhet të vendosin se nga kush të blejnë gazin e tyre. Por evropianët, nuk mund të injorojnë as kërcënimet ndaj pavarësisë politike të vendeve fqinje siç është Ukraina, të cilën “Nord Stream 2” e anashkalon.

Në këto kushte, mënyra më e mirë për të siguruar furnizimin me energji të Evropës, do të ishte zgjerimi dhe integrimi i mëtejshëm i infrastrukturës së gazit natyror të kontinentit, përmes ndërtimit të më shumë terminaleve për gazin. Në këtë mënyrë, asnjë vend – shtet anëtar i BE po partner i ngushtë – nuk mund të mbahet peng si pasojë e varësisë së tij nga energjia ruse.

Çështja e katërt është Kina, që e ka bërë të qartë se kërkon një rishikim të balancës ndërkombëtare të pushtetit. Administrata Trump e sfidoi me të drejtë Kinën në fushën e tregtisë. Nuk mund të ketë një “tregti të ndershme”, kur një vend që nuk luan me të njëjtat rregulla si të gjithë të tjerët, përbën dy të pestat e ekonomisë globale.

Kina subvencionon industritë kineze, kufizon hyrjen në tregjet e saj, dhe shkel vazhdimisht të drejtat e pronësisë intelektuale. Mbi të gjitha, modeli kinez i kapitalizmit shtetëror autoritar, paraqet një sfidë të dyfishtë, pasi paraqet një rivalitet ekonomik dhe një model politik alternativ. Në këto rrethena, BE dhe SHBA duhet të hartojnë urgjentisht rregulla të qarta e të dakorduara reciprokisht, për t’u përballur me Kinën.

Çështja e pestë kryesore, është roli i Evropës sot në botë. Nëse ajo Evropa nuk ndërgjegjësohet me realitetet e rivalitetit të ri Kinë-SHBA, mund të gjendet në pozitën e të qenit e papërfillur në rrafshin gjeopolitik. Në fakt, që tani ka shenja të rëndësisë globale në rënie të Evropës.

Luftërat dhe konfliktet në periferinë e Evropës, po vendosen gjithnjë e më shumë nga fuqitë e tjera, me kontinentin e vjetër që nuk luan asnjë rol të dukshëm në zgjidhjen e tyre. Hezitimi i Evropës për të riafirmuar vetveten në skenën ndërkombëtare, ka një dimension historik.

Për arsye të forta, BE-ja ka qëndruar prej kohësh nën ombrellën e sigurisë së SHBA-së. Pra konceptimi gjeopolitik i Evropës, është një prodhim amerikan, bazuar në Planin Marshall.

Siç u shpreh Sekretari i parë i Përgjithshëm i NATO-s, Hestings Ismej, qëllimi i NATO-s ishte “të mbajë rusët jashtë, amerikanët brenda, dhe gjermanët poshtë”.

Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga vitet 1950. Sot, ne evropianët sapo kemi nisur të kuptojmë, se duhet t’i përshtatemi realiteteve gjeopolitike të shekullit XXI. Epoka e Atlantikut, po i hap rrugë Epokës së Paqësorit. Evropianët s’duhet të kenë asnjë iluzion, se të gjitha gjërat do të kthehen vetë në rrugën e duhur. Tani është koha që tregohet guxim dhe vullnet, për të marrë përgjegjësinë mbi interesat tona strategjike.

Shënim: Sigmar Gabriel, ish zv/kancelar dhe ish-ministër i Jashtëm i Gjermanisë, Michael Huther, drejtor i Institutit Ekonomik Gjerman.

TIRANA TODAY

 


Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT