Si do të sillet Xho Bajden me Ballkanin

Nga: Majda Ruge “Foreign Policy”

Në dimrin e vitit 2001, presidenti i zgjedhur amerikan Xho Bajden, asokohe senator i SHBA-së, vizitoi Visoki Decani, një Manastir Ortodoks Serb në Kosovë, gjatë një vizite të pas luftës në atë që ishte në atë kohë një protektorat i OKB.

Atje Biden u takua për pak minuta me Ramush Haradinaj, që deri pak kohë më parë qe një luftëtar gueril gjatë luftës në Kosovë, dhe që më vonë do të bëhej kryeministër i vendit.

Bajden, i etur të siguronte mbrojtjen e kulturës ortodokse, i kërkoi Haradinajt sigurinë se ai do t’i kushtonte kujdes të veçantë manastirit. Kur dhuna shpërtheu sërish në Kosovë 3 vjet më vonë, dhjetëra kisha ortodokse serbe u shembën, por manastiri mbeti i paprekur.

Vite më vonë, Haradinaj thuhet se i dërgoi fjalë Bajdenit se e kishte mbajtur premtimin e tij. Kjo histori nxjerr në pah 2 parime të thjeshta që duhet të orientojnë politikën e ardhshme evropiane dhe amerikane në rajon. Së pari, destabiliteti vjen shpesh nga udhëheqësit, dhe jo nga njerëzit.

Së dyti, sinjalet e qarta nga Uashingtoni dhe kryeqytetet evropiane, mund të parandalojnë problemet në terren. Biden kërkoi që manastiri të mbrohej dhe kjo ndodhi, pjesërisht sepse udhëheqësit e fuqishëm në Kosovë e dinin se Uashingtoni, aleati më i rëndësishëm i vendit, po i vëzhgonte.

Në mënyrë të ngjashme në vitin 2016, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit Hoiji dhe kolegët e tij të BE-së, ndihmuan tranzicionin fqinj të Maqedonisë së Veriut në vendosjen e një qeverie demokratike. Ndërkohë administrata Trump dështoi në të dyja frontet.

Ajo dështoi të fuste në rrugën e zgjidhjes çështjet komplekse politike midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa distancoi aleatët në rajon, ajo dërgoi tek ata sinjale konfuze, shpesh duke shkelur parimet shumë demokratike që Uashingtoni kishte promovuar në rajon prej 2 dekadash.

Për Bajdenin do të jetë e lehtë të shmangë gabimet e presidentit Trump. Por do të jetë shumë më pak e lehtë të shmangë përsëritjen e gabimeve të bëra nën kohën e presidentit Barak Obama, kur Shtetet e Bashkuara u shkëputën nga rajoni, duke ia lënë atë në kujdestari Bashkimit Evropian.

Duke pasur parasysh të gjitha sfidat e politikës së jashtme, me të cilën do të përballet administrata e re amerikane, Ballkani Perëndimor nuk do të renditet si përparësia e saj kryesore. Gjithsesi, Bajden foli për këtë rajon në telefonatën e tij të parë si president i zgjedhur me kryeministrin britanik Boris Xhonson.

Tema ka të ngjarë të jetë shfaqur nga dëshira për t’u lidhur me Bajden mbi një çështje me të cilën presidenti i ardhshëm është i njohur, por gjithsesi përmendja tregon se rajoni do të vazhdojë të mbetet në vëmendjen e Uashingtonit.

Dhe me Berlinin, Brukselin dhe Parisin që janë të etura të rregullojnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara pas 4 viteve të fundit, Ballkani Perëndimor përfaqëson një mundësi që të dyja palët të tregojnë sa më shpejt, se një epokë e re e bashkëpunimit transatlantik mund të prodhojë rezultate pozitive.

Lexo edhe :   Biden: Ditë e mrekullueshme për Amerikën

Në veçanti, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara mund të arrijnë më shumë progres në rajon, duke u fokusuar në luftën ndaj korrupsionit, gjë që do të sinjalizontese Shtetet e Bashkuara nuk e shohin Ballkanin përmes lenteve të urrejtjeve të vjetra, dhe të dërgojnë një mesazh të qartë mbi pritshmëritë e Perëndimin ndaj udhëheqësve të rajonit dhe për qeverisjen demokratike.

Bajden e ka bërë luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, si një nga premtimet e tij kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme. Edhe Bashkimi Evropian e ka shndërruar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në thelbin e përpjekjeve të tij në Ballkanin Perëndimor.

Raportet e progresit të Komisionit Evropian për vitin 2018, tregonin se të gjitha vendet në rajon kishin mbetur para në 3 prioritete kryesore:luftën kundër korrupsionit; krimit të organizuar; dhe përmirësimin e sistemit gjyqësor.

Bajden mund të ndjekë edhe shembullin e Obamës, dhe t’ia lërë Evropës të merret me Ballkanin. Por pavarësisht të gjitha fjalimeve rreth sovranitetit strategjik të BE, blloku prej 27 shtetesh anëtare (që të gjithë me interesa të veçanta), mbetet i paaftë për të pasur një politikë efektive në rajon.

Prandaj Shtetet e Bashkuara, mund të ndihmojnë në nxitjen e koherencës evropiane në politikën e saj mbi Ballkanin Perëndimor, sidomos nëse mban në fokus luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, që qëndron në themel të ekonomisë së rajonit.

Duke punuar bashkë, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, do të kufizojnë secilin investim individual që ata bëjnë për të mbështetur rajonin.

Duke bashkëpunuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mund të koordinojnë më mirë mjetet financiare ndërkombëtare me ato politike. FMN dhe Bashkimi Evropian kanë angazhuar një shumë të konsiderueshme fondesh për rajonin.

Vetëm FMN ka dhënë 806 milion euro fonde për rajonin si një ndihmë emergjente për këtë vit, dhe ndihma makro-financiare e BE-së arrin në 750 milion euro. Plani Ekonomik dhe ai i Investimeve, i njoftuar së fundmi nga Bashkimit Evropian, përfshin 9 miliardë euro fonde të tjera për Ballkanin Perëndimor.

Por këto para duhet të përdoren si duhet, me kushte të rrepta mbi përgjegjësinë financiare, me kushtëzim garantimin e sundimin të ligjit. Kjo është diçka më e lehtë për t’u arritur, nëse pjesë e fushatës së presionit do të jetë edhe SHBA-ja.

Nëse korrupsioni mund të vihet nën kontroll, qeverisja dhe ekonomia e rajonit mund të përmirësohen. Kjo nga tjetër do të lehtësojë rrjedhjen e trurit të Ballkanit dhe do të forcojë me gjasë dhe paqen në rajon.

Shpresojmë që administrata Bajden, me gjithë prioritetet e tjera të shumta të politikës së jashtme dhe të sigurisë, do të lërë mënjanë edhe një kapital modest politik që është i nevojshëm për të rindërtuar besueshmërinë transatlantike në rajon.

Burimi i lajmit: https://foreignpolicy.com/2020/11/18/biden-in-the-balkans/

Përshtatur nga TIRANA TODAY