Shumë shtete e pezulluan/ OBSH: Rekomandojmë vaksinimin me AstraZeneca-n

Disa shtete europiane kanë pezulluar përdorimin e vaksinës anti-covid të prodhuar nga kompania Astrazeneca, për shkak se ka patur efekte anësore te disa pacientë, si mpikja e gjakut dhe trompoza.

Lidhur me këtë çështje, Organizata Botërore e Shëndetësisë, deklaroi ditën e sotme se duhet të vazhdojë vaksinimi me dozat e prodhuara nga kompania AstraZeneca.

OBSH-ja u shpreh se raste të tilla me sëmundje ndodhin shpesh dhe ndoshta nuk mund të kenë lidhje me vaksinën, shkruan CNBC.

Ndërkohë, bëhet e ditur se hetimet do të vazhdojnë, por sugjerohet që vaksinimi duhet të vazhdojë, pasi përfitimet e vaksinave e tejkalojnë rrezikun.

“Sëmundje trompoze dihet që ndodhin shpesh. Mpiksja e gjakut është sëmundja e tretë më e zakonshme kardiovaskulare në mbarë botën. Kjo nuk do të thotë se ngjarjet janë të lidhura me vaksinën. Sidoqoftë është praktikë e mirë t’i hetojmë. Por, në këtë kohë, OBSH konsideron se përfitimet e vaksinës AstraZeneca tejkalojnë rreziqet e saj dhe rekomandon që vaksinimet të vazhdojnë. OBSH është në kontakt të rregullt me ​​Agjencinë Evropiane të Barnave (EMA) dhe rregullatorët në të gjithë botën për informacionin më të fundit mbi sigurinë e vaksinave Covid-19,”-thuhet në njoftim.