Mbledhja e përbashkët e qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, e planifikuar më 24 prill, është shtyrë.
Lajmin e kanë konfirmuar burime të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë.
Nuk dihet se kur do të mbahet mbledhja, por zbulohet shkaku i shtyrjes së saj.
Kështu, moszbatimi i disa marrëveshjeve që janë firmosur, duke nisur që nga mbledhja e parë, e mbajtur në janar të vitit 2014, në Prizren, ka bërë që mbledhja të mos zhvillohet.
Burime të “Koha Ditore” zbuluan se në mbledhjen e katërt, që do të mbahet në Vlorë, do të shkohet me zbatim të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara një vit më parë në Prishtinë, por edhe ato të pas janarit të vitit 2014. Në mbledhjen e parë të përbashkët në Prizren është nënshkruar partneriteti strategjik Shqipëri-Kosovë, pasuar me atë të marsit të vitit 2015 në Tiranë, dhe të qershorit të vitit 2016 në Prishtinë.