Pas njoftimit të fundit të kryeministrit Rama, se pas orës 13:00 qytetarët nuk do të kenë më mundësi të dalin nga banesa deri në mëngjesin e së hënës, njerëzit kanë dalë në rrugë pa respektuar distancën, e po kështu pa marrë masat si maskë e doreza.
Është kryedemokrati Basha, ku me anë të një fotoje demostron se çfarë po ndodh aktualisht në një nga tregjet në vend. Njerëzit janë turrur për të siguruar ushqimet e domosdoshme, pasi do të izolohen në shtëpi.
Kreu i PD-së u kërkon qytetarëve që të sensibilizohen, kjo në të mirë të shëndetit të tyre. Këto grumbullime janë të rrezikshme! Qytetarët vijojnë të mbeten ”të pabindur”, duke mos zbatuar masat e dhëna, për të parandaluar më tej përhapjen e virusit Covid-19.
Duke filluar nga dita e sotme, orari i lëvizjes për qytetarët do të ndryshojë dhe nuk do të jetë më në dy fasha kohore. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar se duke filluar nga sot, orari i lëvizjes do të jetë nga ora 05:00 deri në orën 13:00. Në përditësimin e sotëm, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar zyrtarisht edhe 6 të prekur të tjerë, duke e çuar totalin e të infektuarve në 76 persona.
Statusi
Kjo nuk është aspak mirë! Kjo është shumë e rrezikshme!
Natyrisht që njerëzit duhet të blejnë gjërat e domosdoshme, duhet të marrin shërbimet esenciale, ju duhet të kryejnë disa pagesa, por grumbullime si këto janë të rrezikshme. Kjo është mënyrë e sigurtë për të përhapur virusin. Të tilla grumbullime zhvlerësojnë çdo sakrificë të bërë deri tani.
Ndaj duhet një analizë objektive, bazuar mbi praktikat më efektive deri tani: Si mund të organizohet dhe zbatohet izolimi dhe distancimi sa më i disiplinuar dhe nga ana tjetër njerëzit të mund të marrin shërbimet jetike POR duke shmangur çdo dalje të panevojshme, radhët e gjata dhe grumbullimet masive.
Asgjë nuk është e lehtë. Por gjithçka duhet bërë që të shmangim dhe ngadalësojmë sa mundemi përhapjen e COVID 19.
Të dashur qytetarë! Qëndroni në shtëpi! Duke respektuar distancimin social, izolojmë virusin. Kështu i japim shans vetes dhe të afërmve tanë ta kalojmë me sa më pak pasoja këtë gjendje dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit!