Avokati Spartak Ngjela ka reaguar për tubimin që presidenti Meta pritet të zhvillojë më 2 mars. Sipas avokatit, Meta nuk mund të bëjë asgjë, sepse në Shqipëri nuk ka grusht shteti. Mjaft i prerë në qëndrimin e tij, ai thotë se Meta nuk ka më të ardhme politike.
Më tej avokati shprehet se Meta po përpiqet të kërcënojë ndërkombëtarët, pasi është në fundin e tij politik. Në fund të statusit të tij të shpërndarë në Facebook, Ngjela i vendosur në qëndrimin e tij thotë se fundi i Metës përkthehet në gëzimin e shqiptarëve dhe fillimin e Shqipërisë së re.
Kujtojmë se Meta e quajti tubimin, një përballje finale me puçistët, referuar maxhorancës. Sipas presidentit, Parlamenti shkeli hapur çdo kod sjellje dhe etike duke miratuar ligjin për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pa pritur mendimin e komisionit të Venecias. Në këto kushte, Kreu i Shtetit sheh vetëm një zgjidhje, dhe i bën thirrje popullit të ngrihet për të rimarrë sovranitetin që i përket.
Statusi
Kë po kërcënon Meta
me “revolucion popullor”?
l.
Meta po kërkon të trembë politikën amerikane që kjo të ndalojë operacionin antikorrupsion në Shqipëri. Po, me çfarë mjetesh kërkon ta bëjë Meta këtë? Me “revolucion popullor”, po thotë; dhe, nga broçkullat që flet, duket sikur kërkon të ngjallë Fidel Kastron. Por, sigurisht që amerikanët tallen me të.
Kurse shqiptarët po presin me padurim që, në trupin e shtetit të tyre të korruptuar të fillojë operacioni kirurgjikal për pastrimin e infeksionit njëqindvjeçar. Dhe ata po e presin nga politika amerikane këtë “operacion kirurgjikal”.
Po Meta, çfarë do të bëjë?
Meta nuk ka më të ardhme politike, le të bëjë çfarë të dojë!
ll.
“Në Shqipëri është bërë grusht shteti”, thotë Meta. Por, Shqipëria është shtet i NATO-s: na ka thënë gjë Brukseli dhe Uashingtoni për këtë lloj grushti? Asgjë. Po shkarkimi i Metës, grusht shteti është? Çdo shkarkim me vota në një parlament, është i ligjshëm. Kjo është demokracia
Prandaj, të gjithë sot po tallen me një president shqiptar që kërkon të trembë Uashingtonin pa ushtri, por vetëm me ca hajdutë që i vinë qark.
“Do shpërndaj Parlamentin”, sokëllin Meta nepër korridore, kurse pyetja që i drejtohet atij në këtë rast është kjo: ku i ke tanket, zoti Meta? Parlamenti shpërndahet ose në funksion të votës, ose me tanke, dhe jo me letra. Por, tanket në Shqipëri drejtohen nga NATO. E di këtë, ti zoti Meta?! Prandaj, pikërisht për këtë, po tallen me Metën institucionet ndërkombëtare që mbikëqyrin Shqipërinë.
Kurse Meta është në fundin e tij politik.
Fundi i Metës, është gëzimi i shqiptarëve dhe fillimi i Shqipërisë së re.
Po të tjerët?
Ata vijnë më pas, me radhë…