Certifikimi Biden si presidenti zyrtar i SHBA, ka vënë në lëvizje Shtëpinë e Bardhë e cila po përgatitet për tranzicion në datën 20 janar. Duke ju referuar mediave të huaja, zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Chris Liddell, ju ka dërguar letër të gjithë anëtarëve të Kabinetit dhe u ka rekomanduar të emëruarve politikë të japin dorëheqjen më 20 janar, si pjesë e kalimit të pushtetit të presidentit Joe Biden.
“Ndërsa përgatitemi për një tranzicion të pushtetit, ne duhet të marrim masat e duhura për të siguruar që kjo të bëhet në një mënyrë të rregullt. Tradicionalisht, të emëruarve të presidentit në pozicione jo-mandate u është kërkuar të paraqesin letra zyrtare të dorëheqjes.
Në përputhje me këtë praktikë të kaluar, të gjithë të emëruarit e presidentit duhet t’i paraqesin një letër dorëheqje presidentit Donald J. Trump me një datë nisje jo më vonë se ora 12:00 e datës 20 janar 2021“, thuhej në letrën e dërguar nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.
Kujtojmë se dy ditë më parë teksa po mbahej procesi për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve, Kongresi Amerikan u përfshi nga protestat që organizuan mbështetësit e Trump. Gjithashtu pasi Kongresi arriti të certifikojë zgjedhjet, dhe të njihte fitoren e Joe Biden, presidenti në detyrë Donald Trump tha se kalimi i pushtetit do kryhet paqësisht.