E martë, 7 Dhjetor, 2021
7.5 C
Tirana

Shqiptari kampion bote që nuk e lejon Federata të përfaqësojë Shqipërinë

“Dua të jetoj edhe kur të vdes”, një fjali e madhe e thënë nga një i ri që ende nuk i ka mbushur 19 vjeç. Por ky 19-vjeçar quhet Eklent Kaçi, kampion bote në bilardo, kjo shprehje të bën të reflektosh. Përveç titujve botëror, mbi shpinë mban edhe disa rekorde ndërkombëtare, por pasditet , zakonisht i kalon me shokët dhe miqtë e afërt duke luajtur bilardo.

Eklent Kaçi po më priste. Kur nga dera i thonë “Klent po të kërkon një gazetar”, brof në këmbë dhe më takon. Bilardo për të është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Duke qenë se është duke luajtur, më kërkon që ta pres sa të përfundojë. Sfida me mikun e tij nuk zgjat dhe Klenti, siç të gjithë e thërrasin vjen e ulet, por nuk harron të më kërkojë falje për 2 minutat që u vonua.

Duke u ulur e pyes nëse e fitoi lojën, por me shaka më kthehet, “jo jo, po luaja vetëm për qejf, më pëlqen që ta kaloj kohën këtu bashkë me njerëzit e mi të afërt”.

Kur e pyes për rekorde apo trofe të fituar, nuk flet fare për ato që ka marrë që në moshën 11-vjeçare në Shqipëri. Teksa numëron të gjithë titujt dhe vlerësimet që i janë bërë ndër vite, për një moment e humbet numrin dhe e mbyll duke thënë se janë shumë. Vërtet të jetë kaq i talentuar? Ky është mendimi i parë që të shkon nëpër mend, për një djalë 19-vjeçar nga Laçi që kudo ku shkon në botë fiton në sportin e bilardo.

Por dilema zgjidhet shumë thjeshtë nga vetë Klenti, kur tregon medaljet dhe kupat e pafundme që ka fituar.

“Në fillim shikoja babin dhe shokët e tij që luanin në bilardon e lagjes dhe aty kam filluar ta pëlqej këtë sport që në moshë të vogël.” Ky është kontakti i parë që Eklent Kaçi pati me sportin, të cilin vetëm brenda pak vitesh do e pushtonte. Fillimet gjithmonë janë të vështira. Edhe për Ekletin, të tilla kanë qenë dhe ai më tregon se nëse nuk do kishte qenë për familjen e tij e mbështetjen e madhe që ata i kanë dhënë në këto vite, mbase ai nuk do ishte bërë ky që është sot.

Në fakt mbështetja e familjes së tij nuk kishte se si të mungonte, pasi ishte vetëm 11 vjeç, kur ai fitoi titullin e parë kampion. Bëhet fjalë për kampionatin kombëtar të bilardos për të rinj, me kundërshtarë që Eklenti i kishte pasur më të mëdhenj se vetja. Kjo eksperiencë e parë në një garë të vërtetë vulosi përfundimisht fatin e tij.

“Unë thjesht shkova për të marrë pjesë dhe nuk shkova për të dalë kampion, pasi i kisha të gjithë më të mëdhenj, por kur fitova, aty e mora seriozisht dhe fillova të ushtrohem rregullisht”- tregon ai me nostalgji për atë kohë, edhe pse shumë pak vite kanë kaluar

Pas këtij eventi filluan me radhë të gjitha trofetë e tjerë brenda vendit. Për kupat që ka marrë në kampionatet jashtë vendit, ai tregon se ka një njeri që e falënderon gjithmonë për mbështetjen e pakursyer. Ogert Shkrepa president i federatës se Bilardos në vendin tonë, është njeriu që gjithmonë i ka qëndruar pranë për ta ndihmuar dhe këtë gjë Eklent Kaçi nuk harron asnjëherë. “Më duhej një promotor për të garuar jashtë vendit, duke qenë se këtu brenda vendit nuk kisha më asnjë rival dhe për këtë gjë dua ta falënderoj shumë zotin Shkrepa”.

Ky i fundit me siguri nuk është penduar ndonjëherë për suportin që ka dhënë për këtë djalë. Për të kuptuar se çfarë vlere ka mbështetja që është dhënë për këtë 19-vjeçar, mjafton vetëm synimi i tij. “Synoj vetëm rekorde botërore prej disa kohësh, pasi ato shqiptare tani janë bërë aq shumë sa nuk i mbaj me mend. Kam arritur që të fitoj në një kampionat botëror, duke e mbyllur ndeshjen pa gjuajtur kundërshtari në asnjë rast. Domethënë e kam marrë lojën me një stekë siç i themi ne në gjuhën tonë. Kjo ishte një gjë që nuk është se ndodh shpesh. Kundërshtari im, Alex Pagulayan i ishte pak a shumë në moshën e babait tim dhe me një eksperiencë shumë më të madhe. Kur fitova me një stekë përballë tij ishte një kënaqësi shumë madhe për mua, por edhe për atë, pasi i bëhej qejfi që një i ri në moshën time të arrinte një gjë të tillë.”

Por akoma dhe më spektakolare ka qenë performanca në një tjetër eveniment në Holandë. Përtej ndonjë padrejtësie të vogël që mund të i jetë bërë, sërish Klenti nuk shpërqendrohet dhe shikon drejt objektivit të ri.

“Në Holandë ishte Rurotour që përcakton dhe shkuarjen në kampionatin botëror dhe olimpiadë nëse do arrihet marrëveshja. Në Holandë ishin më shumë se 200 pjesëmarrës, për një gabim timin taktik dola në vendin e dytë. Por edhe pse dola i dyti në këtë event, unë e kam të sigurt vendin në kompeticionin që zhvillohet në SHBA dhe ku unë do të përfaqësoj Europën bashkë me disa 4 bilardist të tjerë, të cilët ende nuk janë përcaktuar se kush do të jenë. Për momentin unë jam i vetmi që përfaqësoj Europën. Do të jenë pesë sportist europianë që do të përballen kundër atyre nga SHBA. Nga këta pesë të Europës unë jam i pari dhe pres kush do të jenë shokët e tjerë të ekipit.”

Këto rezultate e kanë bërë që të jetë krenar kudo ku shkon dhe të mos e vuaj aspak kompleksin e inferioritetit, që mund ta kenë shumë shqiptare në fusha të ndryshme. “Jo nuk jam ndjerë asnjëherë kur kam qenë jashtë vendit. Kudo që kam shkuar më kanë respektuar dhe nderuar për atë që unë jap në fushën e bilardos.”

Kur i dëgjon këto fjalë të vjen mirë, pasi atje, në botën e madhe talenti vlerësohet drejt. Por gëzimi për këto fjalë të mira që po dëgjoja zgjati vetëm pak sekonda, pasi Eklenti filloi të flasë për atë që i ndodh nga institucionet shqiptare të bilardos

“I diskriminuar kam qenë nga federata shqiptare e Bilardos, pasi presidenti i Federatës së Bilardos më ka përjashtuar nga Federata që prej tre vitesh. Nuk më ka lënë të marrë pjesë në kampionatet europiane. Arsyet kanë qenë banale dhe më shumë për inate personale.”

Për sportistët e tjerë ky bllokim absurd do të përbënte një problem shumë të madh, deri në rrezikim të karrierës, por jo për 19-vjeçarin Eklent Kaçi.

“Teorikisht kjo pengesë mua nuk do më lejonte të merrja pjesë në kampionatet europiane. Por unë duke qenë se kam rezultate shumë të mira kam “kartë magjikë” që nuk ka nevojë aprovimin e federatës shqiptare.” I vetmi dëm që bëhet në këtë rast, si zakonisht i shkon si faturë vendit tonë, pasi Eklenti tregon se ky bllokim e pengon atë që mos të jetë pjesë e ekipit të Shqipërisë në garat ekipore, duke i hequr vendit tonë disa kupa ose medalje të sigurta.

Por edhe pse i është bërë një padrejtësi, ai ndjehet i qetë. “Unë shpresoj që të zgjidhet sa më shpejt dhe besoj se do të marrë pjesë në kampionatin Europian. Por këto janë gjëra që në Shqipërinë ku ne jetojmë janë mëse normale.”

Me gjithë këtë sukses të madh, natyrshëm lind pyetja nëse për të arritur një gjë të tillë, duhet të punosh apo është thjesht një talentuar i mbartur në gjak. Ndërsa përgjigja e Eklentit është pak diplomatike, por që më shumë anon nga puna individuale që ai ka bërë dhe vijon të bëjë çdo ditë.

“Unë kam punuar shumë me bilardon duke u përkushtuar shumë si në stërvitje, si të ushqimi edhe të tjera, por besoj se edhe talenti duhet, pasi ka pasur shumë bilardistë që janë stërvitur shumë dhe nuk është se kanë arritur ndonjë gjë.”

U mundova që t’i bëj një pyetje të vështirë, se ku e gjen motivimin një sportist që ka arritur gati çdo gjë në një moshë kaq të vogël, por përgjigja e tij është shteruese dhe jo vetëm për mua besoj.

“Jo, unë jam akoma i motivuar. Unë tashmë kam një mision shumë të rëndësishëm që të jetoj edhe kur të vdes. Dua që kur të flitet për bilardon në Shqipëri por edhe në botë të flitet për emrin tim dhe atë që unë kam bërë.” E shikoj në sy dhe duket shumë i bindur në atë që thotë, madje nuk i bën përshtypje që mua më befasoi kjo përgjigje e tij.

Në fund të bisedës sonë nuk mund ta evitonim edhe aspektin ekonomik. Por këtë pjesë, Eklent Kaçi e transformoi në një mesazh për të gjithë bashkëmoshatarët e tij dhe të rinjtë në të gjithë Shqipërinë.

“Po ia vlen të merresh me bilardo, jeton shumë mirë. Normalisht nuk mund të krahasohet me futbollin apo sportet e tjera të pasura, por për një jetesë të mirë kushtet mëse normale i plotëson. Me ato që unë fitoj si sportist bilardoje, janë më shumë se sa mund të fitojë çdo 20-vjeçar tjetër nga Shqipëria. Nëse të rinjtë shqiptarë do merren me këtë sport do ia ndjejnë leverdinë. Por dua të them edhe një gjë shumë të rëndësishme që këtë sport nuk e bën dot vetëm për para, nëse në fillim nuk e ke pasion.”

Kjo përgjigje në fund, rriti akoma dhe më tepër imazhin e tij në sytë e mi. Ky 19-vjeçar që luan bilardo në një sallë të improvizuar në katin e parë të një pallati në Tiranë nuk është kampion vetëm duke çuar bilat në gropë, por edhe një model për t’u ndjekur. Përshëndetemi, hap çadrën dhe largohem. Puna e vështirë fillonte pikërisht tani: nëse ka ende shqiptarë që nuk e kanë marrë vesh ne kemi një kampion dhe rekordmen botëror në gjirin tonë në sportin e bilardos./gazetasi.al/

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

“Njeriu njihet kur ceket interesi personal”, Basha flet për Berishën

“E vërteta është që kam patur një bashkëpunim shumë të ngushtë. Ne kemi patur një marrëdhënie shumë të ngushtë me njëri-tjetrin gjatë kohës që...

Clinton nderon kryeministrin Rama me çmimin “Vital Voices Global”

Kryeministri Edi Rama u nderua gjatë vizitës së tij në Nju Jork, me çmimin e “Inovatorit të nderuar global” nga organizata e themeluar nga...

Ukraina fuçi baruti

Perëndimi i forcon krahët Ukrainës. Për shkak të rritjes së tensioneve ushtarake me Rusinë, SHBA, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Gjermania kanë mbështetur...

Gjici shfrenon fantazinë: As Gjermania s’i ka bërë investimet që ka bërë Kukësi

Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, ka surprizuar me deklaratën e tij publike, duke thënë se as Gjermania nuk i ka bërë investimet që ka...

Foltorja dhe Prefekti, nuk janë hallet e shqiptarëve

Nga: Artur Ajazi Në një kohë kur gjithë bota merret me problemet e pandemisë, apo rritjes së mirëqenies, zgjidhjen e krizave dhe shuarjen e vatrave...