Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, ka shuar kureshtjen e qytetarëve nëse ekziston mundësia për t’u rimbyllur. Pas shifrave të frikshme, të cilat sipas saj ishin të prishme, qytetarët kanë shumë pikëpyetje nëse vendi ynë mund të rikthehet në fazën fillestare, të një mbyllje totale. Mira Rakacolli është shprehur në studion e emisionit “Top Talk” se nëse abuzohet nga ana e qytetarëve, mbyllja do ishte sërish një alternativë e mundshme.
Ajo ka thënë më tej se në çdo lloj politikë hapje, shtimi i numrit të rasteve është i pritshëm. Ndaj është më rëndësi që politikat e hapjes të shoqërohen gjithmonë me zbatime të masave parandaluese.
Duke u kujtuar shqiptarëve se virusi nuk është zhdukur, një paralajmërim i fortë vjen në këtë drejtim:
“Ju thashë këtu nuk ka një përgjigje të prerë. Indikatorët që unë ju përmenda do të na dërgojnë në shifra që mund të dërgojnë në kolaps sistemin shëndetësor ose në numër të madh të infektuarish. Atëherë mund të kthehemi për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.
Unë bëj apel për njerëzit. Po të respektojmë të gjithë bashkë me rigorozitet rregullat, do të vijojmë të jemi të suksesshëm si në situatën e parë.
Me numrat që kemi, jemi në gjendje që nëse i zbatojmë këto masa të vazhdojmë të jemi të kontrolluar dhe as të mos diskutohet më çështja e kthimit në karantinë.
Nëse do të kemi rritje të mëdha, më pas jemi të përgjegjshëm për shëndetin e njerëzve. Duhet të kemi një lloj sigurie në jetët tona.
Virusi është, ekziston dhe e vetmja mënyrë mbrojtje është masat për te mos e kontaktuar fizikisht atë, nëpërmjet distancimit dhe kimikisht me anë të përdorimit të dezinfektantëve”, u shpreh Mira Rakacolli.