Shqiptarët do lahen me leje? Ministri Klosi tregon planin e hapjes

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, i ftuar në “Çim Peka LIVE” në Syri TV, ka folur mbi skenarët e mundshëm që e presin sezonin veror në vend, pas përhapjes së pandemisë. Ministri tha se situata do rishikohet nga mënyra si do kalojë koronavirusi, e ndërsa muaji maj pritet që të ketë lehtësira. Po kështu, Klosi konfirmoi se këtë sezon veror do të ketë plazh dhe turizëm, por nuk mund të ketë rikthim në normalitet për sa kohë kemi virusin në qarkullim.

“Nuk e dimë, as unë, as ne nëse do të kemi sezon të rregullt. A do të jetë viti 2020 një sezon normal? Kemi një relaksim të masave, që vijnë duke menduar se hap pas hapi do të jemi të mbrojtur. Por rikthimi i pandemisë, çdo gjë e ve në pikëpyetje.

Do të donim shumë që fundi i majit të ketë një lehtësim për plazhet. Sot shpërndamë protokollin e masave anti-corona, që një prej kapitujve të saj ka edhe plazhin. Pa dyshim do të ketë plazh dhe turizëm, por mos harrojmë që çdo gjë të jetë e kontrolluar që mos rikthejmë marsin. Para një muaji do të quhej absurd diçka e tillë”, tha Klosi.