Shqipëria është zgjedhur anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në Nju Jork të SHBA-ve, u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe u votua për 5 shtetet e reja të cilat do të jenë anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023.
Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ishin në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Për t’u zgjedhur, secilës prej tyre i duhej të siguronte dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Shqipëria mori 175 vota.
Kjo shënon herën e parë të përzgjedhjes së Shqipërisë në këtë funksion, pas 65 vitesh nga anëtarësimi i saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina që kanë të drejtë vetoje si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.