Shqipëria përfitoi më shumë fonde nga Bashkimi Europian sesa 6 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Dokumentet zyrtare të BE-së e vërtetojnë këtë fakt.
Në dokumente zbulohen edhe shumat të cilat ka përfituar Shqipëria. Samiti i Triestes u parapri në muajin mars nga një takim në Stokholm, Suedi, ku të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor prezantuan projektet e tyre per financim.
Shqipërisë iu aprovuan gjithsej 5 projekte dhe vendi siguroi 30% të fondit total të vendosur në dispozicion për Ballkanin Perëndimor, më shumë se çdo vend tjetër dhe katër herë më shumë se Serbia, e cila siguroi vetëm 7% të fondit total.
Në total, Bashkimi Europian aprovoi një grant prej 3,35 milionë eurosh për Shqipërinë, para që përdoren për të realizuar studimet e fizibilitetit të pesë projekteve të propozuara, projekte të cilat më pas do të marrin financime të BE-së për realizimin e tyre.
Pesë projektet e reja të aprovuara nga BE kanë të gjithë rëndësi kritike për zhvillimin e vendit, pasi bëhet fjalë për HEC-in e Skavicës (projekt i cili ka potencialin të dyfishojë kapacitetin energjetik të vendit), për Parkun Kombëtar të Bunës dhe Liqenit të Shkodrës, linjën e tensionit të lartë me Maqedoninë, zgjerimin e Portit të Durrësit dhe by-pasi rrugor i Lezhës.
Në vitin 2016, Shqipëria ishte e treta në rajon për përthithjen e këtyre fondeve, duke marrë 24% të fondit të përgjithshëm të vendosur në dispozicion. Tre projektet e aprovuara një vit më parë janë gazsjellësi Adriatiko-Jonian, gazjsellësi Shqipëri-Kosovë-Serbi dhe hekurudha Vorë-Hani i Hotit.