Shqipëria nënshkruan marrëveshjen për vaksinën kineze

Pas mbërritjes së 10 mijë vaksinave Sputnik V të Rusisë, qeveria ka miratuar edhe marrëveshjen për mbërritjen e vaksinave kineze.

Përmes një VKM-je të publikuar ditën e sotme, thuhet se vendi ynë do të furnizohet nga Republika Popullore e kinës me vaksinën e saj kundër koronavirusit.

“Për miratimin e tekstit të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” A.Ş.për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell) Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science Co Ltd. dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës”, thuhet në fletoren zyrtare.

Kjo marrëveshje i hap rrugë sigurimit të vaksinave kineze përmes një vendi të tretë që në këtë rast është Turqia.

Marrëveshja u nënshkrua mes shtetit shqiptar dhe distributorit turk “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret” A.Ş. dhe mban firmën e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.