Bluzat e bardha në spitalin rajonal të Librazhdit, përveç vështirësive që hasin gjatë profesionit të tyre, po përballen dhe me një problematikë tjetër.
Më datë 19.03. 2018, disa punonjës të këtij spitali janë thirrur pranë Gjykatës së Elbasanit, pasi janë paditur nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor Librazhd. Arsyeja e padisë ka të bëjë me kthimin e një shumë prej 90 mijë lekësh të vjetar pranë Drejtorisë së Shërbimit Spitalor Librazhd. Por, mjekët dhe infermierët nuk pranojnë që ta kthejnë atë shumë, e cila u është dhënë si shpërblim në vitin 2014, shkruan Tirana Today. Drejtoria e Shërbimit Spitalor Librazhd, ka hedhur në gjyq një vit më parë nga punonjësit e këtij spitali. Ndërsa tashmë çështja i është drejtuar Gjykatës së Apelit në Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan u ka dhënë të drejtë punonjësve që të mos e kthejnë shumën e parave.
Lëvizja e drejtorisë për t’u kërkuar lekët punonjëse të saj, ka ardhur pas një kontrolli të ushtuar nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore nga Tirana, i cili e cilësoi si shkelje dhënien e fondit të shpërblimit për punonjësit.Sipas mjekëve të spitalit, me datë 4 dhjetor 2014, zyrat financiare u kishte kaluar shpërblimin përpara se të merrej vendimi me datë 17 dhjetor 2014, i cili thoshte se punonjësit nuk duhet të merrnin shpërblim për fund vit.
Ata kanë theksuar se shpërblimin e kishin marrë nga fillimi i muajit dhjetor, ndërsa vendimi për mosdhënien e kësaj shume kishte dalë nga fundi i këtij muaji.
Tashmë prej një viti, mjekët dhe infermierët e spitalit Librazhd dergjet nëpër dyert e gjykatave, lidhur më këtë situatë, pasi duhet të kthejnë shumën e parave prej 90 mijë lekësh.Kjo ngjarje, ka ndodhur gjatë mandatit të parë të Ramës si kryeministër, ku në bazë të një vendimi të lëshuar në vitin 2014, bluzat e bardha nuk kishin të drejtë të përfitonin shpërblim.
Një “ngutje” për të dëmshpërblyer stafin e tyre ka bërë që situata tashmë të marrë rrugët e gjyqësorit, ku ata të cilët kanë marrë riskun përsipër janë mjekët dhe infermierët, të cilët janë shprehur se është një situatë e lodhshme dhe stresuese për ta.Njëri prej mjekëve të spitalit, Avni Marta është shprehur për Tirana Today, se: “Kam qenë nja dy herë nëpër procese gjyqësore që janë mbajtur në Elbasan. Tani seanca e radhës është nga fundi i këtij muaji. Nuk di gjë fare se çfarë do të bëhet. Seancat janë në vijim, jo në Elbasan, po në Durrës, madje kjo çështje mund të përfundojë dhe në gjykatën Kushtetuese.
Na ka dhënë spitali 90 mijë lekë, dhe i kemi marrë përpara se të dilte vendimi më datë 17 dhjetor në atë kohë. Fondi i Sigurimeve Shoqërore nga Tirana ka ardhur dhe e ka cilësuar shkelje duke na thënë që duhet të kthehet kjo shumë. Punonjësit nuk dua që të kthehet kjo shumë, dhe kanë paditur Drejtoria e Spitalit Librazhd, në gjykatën e shkallës së parë të rrethit Elbasan dhe kanë fituar, por për arsye procedurale Drejtoria e Spitalit Librazhd, e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Apelit në Durrës. Tani kjo gjykatë do të vendosë nëse kanë të drejtë punonjësit e spitalit apo drejtoria.
Vetëm me dosjet dhe me shkresat na kanë shkuar 90 mijë lekë. Plus rruga për të shkuar nga një qytet në tjetrin. Më mirë të na i mbanin nga rroga ato 90 mijë lekë sesa të shkon nëpër dyert e gjykatave duke pritur me orë të tëra plus dhe shpenzimet gjatë udhëtimit”.Ndërkohë në një deklaratë të tij për Tirana Today, ish-drejtori i spitalit rajonal Librazhd, Kujtim Albrahimi është shprehur: “Drejtoria e Spitalit Librazhd, si çdo vit e kishte bërë rutinë pune që u jepte shpërblim punonjëse. Unë atë vit do t’i shpërbleja punonjësit e spitalit me nga 100 mijë lekë të vjetra pasi fondi kishte ardhur, pra që i binte të merrnin 90 mijë lekë, sepse 10 mijë lek i mbante banka. Nga muaji mars- prill i vitit pasardhës vjen kontrolli nga Tirana. Fondi i Sigurimeve Shoqërore nga Tirana e quajti shkelje dhënien e shpërblimit, duke thënë se shpërblimi nuk duhej të ishte dhënë. Ndërkohë që shpërblimi ishte dhënë me datën 4 dhjetor dhe vendimi i qeverisë doli me 17 dhjetor. Di unë nëse do të bie tërmet nesër apo jo?!
Drejtoria e Spitalit Librazhd ishte e detyruar t’u kërkonte punonjësve që t’i kthenin ato para. Ndërkohë që Gjykata e Shkallës së Parë të Elbasanit u ka dhënë të drejtë punonjësve të spitalit të Librazhdit që të mos e kthejnë këtë shumë parash.
Por , drejtoria aktuale e Spitalit Librazhd vendimin e marrë nga Gjykata e Elbasanit për arsye procedurale dhe e ka dërguar në Gjykatën e Apelit në Durrës. Tani procedura ka ngelur në gjykatën e Apelit në Durrës. Tani pritet të jepet vendimi nga Apeli i Durrësit nëse do t’u japë të drejtë punonjësve apo do t’i japë të drejtë Drejtorisë. Nëse do t’u japë të drejtë punonjësve ata nuk kanë të drejtë të kthejnë lekët, nëse i jep të drejtë drejtorisë, punonjësve do t’u mbahen lekët nga rroga”. Ndërsa doktoreshë Edlira nga ky spital theksoi se: “Të jem e sinqertë nuk e di fare se çfarë po ndodh. Na kanë dhënë një shpërblim, se ne kemi punuar mirë. Nuk e mbaj mend saktë se kur na e kanë dhënë këtë shpërblim, por më duket se në vitin 2014. Nëse rregullat thonë se duhet t’i kthejmë në do t’i kthejmë se punëtorë jemi, më kupton”.
“Nuk jam në dijeni se çfarë po ndodh. Atë 90 mijë lekëshin e shpërblimit e kemi marrë 4 vite më parë. Tashmë çështja është në Gjykatën e Apelit në Durrës. Çfarë të na thonë ata do të bëjmë ne”, është shprehur doktor Abedin Isaku. TIRANA TODAY