Shpallet fituesi i Festivalit të 59-të të Këngës (VIDEO)

Këngëtarja Anxhela Peristeri do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision. Anxhela Peristeri është fituesja e festivalit të 59-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.

Pas 3 netëve spektakël, juria ka votuar me çmimin e parë këngëtaren Anxhela Peristeri, e cila konkurroi me këngën “Karma”. Në muajin maj të vitit 2021, kjo këngë fituese do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”, i cili këtë vit do të mbahet në Rotterdam.

Kënga me tekst të Olti Currit dhe muzikë të Kledi Behatit, ishte një ndër më të klikuarat në playlistën mbi Festivalin e Këngës në kanalin e Radio Televizionit Shqiptar, në YouTube.

Çmimi i dytë iu dha Sardi Strugajt, për këngën “Ka me t’ba me kajt”, me tekst të vetë Sardit dhe muzikë të Edesa Malçit. Çmimi i tretë iu dha këngëtares Festina Mejzini, me këngën “Kush je ti dashuri”, me tekst të Jorgo Papingjit dhe muzikë të Flamur Shehut.

Për të respektuar protokollet e autoriteteve shëndetësore, ndryshe nga çdo herë tjetër festivali i RTSH-së, u zhvillua në ambient të hapur në sheshin “Italia” në Tiranë pa publik.