Shorti i Ligës së Europës/ Milani ‘peshkon’ Mançester Junajtid

Liga e Europës mbylli mbrëmjen e djeshme fazën e parë me eliminim të këtij sezoni, ku u plotësuan të gjitha skuadrat që do të duelojnë në fazën e 1/8-ave të garës.

Të tetë përballjet u mësuan ditën e sotme në orën 13:00 në Nion të Zvicrës, ku u hodh shorti për raundin e radhës së Ligës së Europës. Short “djallëzor”! Goglat rezervuan një përballje mes 2 “djajve”.

Bëhet fjalë për Mançester Junajtid dhe Milanin, që do të përplasin brirët në këtë raund delikat të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm për klube në Europë.

Në këtë fazë, shorti ishte i lirë, pra secila nga skuadrat mund të përballej me njëra-tjetrën, ndryshe nga faza paraprake kur përjashtoheshin përballjet nga i njëjti shtet. Ndërkohë, ndeshjet e fazës së 1/8-ave të Ligës së Europës do të zhvillohen në dy data (11 dhe 18 mars).

ÇIFTET E FAZËS SË 1/8-ave:

AJAKS – JANG BOJS

DINAMO E KIEVIT – VIJAREAL

ROMA – SHAHTJOR DONJETSK

OLIMPIAKOS – ARSENAL

DINAMO ZAGREB – TOTENHEM

MANÇESTER JUNAJTID – MILAN

SLAVIA PRAGË – REJNXHËRS

GRANADA – MOLDE