Shkencëtarët zhvillojnë test të rigjaku që diagnostikon nivelin e depresionit

Një sistem i zhvilluar për herë të parë që monitoron biomarkerët e gjakut të lidhur me çrregullimet e humorit, mund të çojë në mënyra të reja për të diagnostikuar dhe trajtuar depresionin dhe çrregullimin bipolar, me gjithçka që nis me një test të thjeshtë të gjakut.

Ndërsa depresioni është një sëmundje e njohur prej shekujsh dhe që prek qindra miliona njerëz në të gjithë botën, diagnoza tradicionale varet ende nga vlerësimet klinike nga mjekët, psikologët dhe psikiatrit.

Testet e gjakut, mund të përdoren tanimë për të kontrolluar nëse simptomat e depresionit mund të lidhen apo jo me faktorë të tjerë. Por deri më sot ato nuk janë përdorur në praktikën klinike për të diagnostikuar në mënyrë objektive dhe të pavarur vetë gjendjen.

Studimi i ri sugjeron që kjo mund të jetë një mundësi praktike në të ardhmen. Në studimin e ri, studiuesit kanë identifikuar 26 biomarkera – tregues të matshëm dhe që ndodhin natyrshëm – në gjakun e pacientëve të lidhur në mënyrë të ndryshueshme me incidencën e çrregullimeve të humorit përfshirë depresionin, çrregullimin bipolar dhe maninë.

“Biomarkerët e gjakut, po shfaqen tani si mjete të rëndësishme në rastet e çrregullimeve, ku vetë-raportimi subjektiv nga një individ apo një vlerësim klinik i një profesionist të kujdesit shëndetësor, nuk janë gjithmonë të besueshëm”- thotë psikiatri dhe neuroshkencëtari Aleksandër Nikulesku nga Universiteti i Indianas në SHBA.

“Këto teste të gjakut, mund të krijojnë mundësinë për një diagnozë shumë të saktë të nivelit të depresionit, dhe që përshtatet me ilaçet dhe monitorimin objektiv të gjendjes”- thekson ai. Nikulesku e ka eksploruar prej disa vitesh këtë mundësi, duke zhvilluar teste të ngjashme të bazuara tek biomarkerët e gjakut për të ndihmuar në parashikimin e vetëvrasjes tek pacientët, diagnostikimin e dhimbjeve të forta, dhe matjen e niveleve të PTSD (Sindromës së Stresit Post-Traumatik).

Në studimin e ri, të kryer gjatë 4 viteve të fundit, studiuesit punuan me qindra pacientë në “Richard L. Roudebush VA Medical Center” në Indianapolis, duke kryer një seri testesh për të identifikuar dhe konfirmuar biomarkerët e shprehjes së gjeneve në gjak, të cilat mund të lidhen me çrregullimet e humorit.

Duke krahasuar mostrat me një bazë të dhënash masive, të përbëra nga informacione të grumbulluara nga 1.600 studime mbi gjenetikën njerëzore, shprehjen e gjeneve dhe shprehjen e proteinave, ekipi identifikoi një seri biomarkerësh të lidhur me çrregullimet e humorit, duke shkurtuar listën në 26 kandidatë të biomarkerëve.

Në një provë të fundit, studiuesit studiuan një grup tjetër pacientësh psikiatrikë, për të parë nëse 26 biomarkuesit e identifikuar mund të përcaktonin gjendjen e tyre shpirtërore, nivelin e depresionit dhe fiksimeve tek pjesëmarrësit, dhe gjithashtu të parashikonin rezultate të tilla si shtrimet në spital në të ardhmen.

Pasi u ndërmorën që të gjithë këta hapa, studiuesit thonë se 12 prej biomarkerëve ofrojnë lidhje veçanërisht të forta me depresionin, me 6 që kishin lidhje me çrregullimin bipolar, dhe 2 biomarkerë që mund të tregojnë praninë e manisë.

“Jo të gjitha ndryshimet në shprehjet e qelizave periferike, janë reflektuese të aktivitetit të trurit. Duke ndjekur me kujdes një fenotip me projektin tonë, dhe pastaj duke përdorur përparësinë e gjenomikës funksionale konvergjente, ne jemi në gjendje të gjurmojmë ndryshimet periferike që ndodhin, dhe që janë të rëndësishme për aktivitetin e trurit të studiuar, në këtë rast gjendja e humorit dhe çrregullimet e tij”- thotë Nikulesku.

Sipas studiuesve, qasja e tyre ndaj mjekësisë precize nuk identifikon vetëm prirjen për depresion dhe çrregullime të tjera të humorit te pacientët, por mund të ndihmojë në nxjerrjen në pah të barnave specifike që mund të trajtojnë më së miri sëmundjet e tyre.

Në këtë studim, rezultatet sugjeruan një sërë ilaçesh ekzistuese jo-depresive – duke përfshirë pindolol, ciprofibrate, pioglitazone dhe adiphenine – të cilat mund të funksionojnë nëse përdoren si ilaçe kundër depresionit, ndërsa përbërësit natyrorë si asiaticoside dhe acid klorogjenik, mund të garantojnë gjithashtu një shqyrtim të mëtejshëm.

Nga gjenet kryesore të biomarkerit që lidhen me çrregullimet e humorit, ekipi thotë se 8

janë të përfshirë në funksionimin cirkadian, i cili mund të ndihmojë në sigurimin e një baze molekulare për të shpjeguar lidhjet midis gjendjeve si depresioni dhe faktorëve të tillë si çrregullimet e gjumit. “Kjo shpjegon pse disa pacientë përkeqësohen me ndryshimet sezonale dhe ndryshimet e gjumit që ndodhin në çrregullimet e humorit”-thotë Nikuleskua.

Burimi i lajmit: https://www.sciencealert.com/scientists-develop-new-blood-test-that-can-diagnose-your-level-of-depression

Përshtatur nga TIRANA TODAY