Pas disa vitesh studimesh dhe hipotezash, shkencëtarët kanë arritur të gjejnë shkakun e gërhitjes së fortë. Sipas tyre, gërhitja e fortë shkaktohet nga gjuha e shëndoshë.
Nga një studim i kryer së fundmi, ata kanë arritur të gjejnë një lidhje ndërmjet dhjamit nën gjuhë dhe personave që vuajnë nga apnea e rëndë obstruktive. Gjithçka është e lidhur me masën trupore.
Studimi është publikuar nga e përditshmja “The Sun”. Në artikull cilësohet se të gjitha ata që kishin rënë në peshë kishin pasur një përmirësim të ndjeshëm të gjumit. Të dhënat kërkimore u konfirmuan dhe nga skanerët MRI.
“Kjo ishte hera e parë që shkencëtarët fokusoheshin te masa dhjamore e gjuhës. Tani e dimë që është një faktor i rëndësishëm”, është shprehur profesor Richard Schwab.
Në studimin e zhvilluar në SHBA morën pjesë 67 pacientë, të cilët u monitoruan për një kohë të gjatë. Ata humbën 10 % të peshës së tyre trupore në 6 muaj. Muskuli i nofullës që kontrollon përtypjen u tret ashtu sikurse edhe muskujt e rrugëve të frymëmarrjes. Të dyja këto ndryshime lehtësuan simptomat, por jo aq shumë sa humbja e masës dhjamore tek gjuha.