Teksa shumë shtete po raportojnë se numri i të vdekurve po pëson ulje, studiuesit kinezë kanë dhënë një lajm aspak të mirë. Disa shtete kanë filluar me lëvizjen e lirë dhe hapjen e disa bizneseve. Një pjesë dërrmuese vijon me masat shtrënguese, pasi bilanci me vdekjet është mjaft i rëndë. Një grup studiuesish kinezë janë të mendimit se koronavirusi ka pësuar mutacion, duke e bërë atë edhe më vdekjeprurës në disa vende.
Ata shprehen se ai ka ndryshuar në 30 lloje të ndryshme, të cilat paraqesin edhe më shumë komplikime për pandeminë.
Zbulimi erdhi nga një ekip studiuesish kinezë nga Universiteti Zhejiang. Për studimin në fjalë të botuar të dielën, ekipi analizoi shtame virale nga 11 pacientë me koronavirus “kinez”. Ekipi gjeti disa nga mutacionet më vdekjeprurëse në Zhejiang, vendin ku ndodhet universiteti.
Këto mutacione ishin parë edhe në disa vende evropiane të goditura, siç janë Italia dhe Spanja, përpara se të përhapeshin në epiqendrën amerikane, në New York.
Amerika është vendi i parë në botë për numrin më të lartë të viktimave, pasi aty kanë humbur jetën deri më tani 42.518 persona dhe 792.938 janë të prekur nga COVID-19.
COVID-19 nuk është larguar nga Europa. Në Itali, i cili është edhe vendi më i prekur në Europë, 24.114 persona kanë humbur betejën me virusin. Ndërsa në Spanjë deri më tani numërohen 20.852 viktima. Por edhe Franca është në luftë me COVID-19. Në këtë shtet kanë humbur jetën 20.265 qytetarë. Situata paraqitet më mirë në Gjermani, pasi numri i viktimave është më i ulët, 4.862.