Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratave të nënkryetarit të grupit CDU-CSU, së Bundestagut gjerman, David Wadephul.
Ky i fundit është shprehur se miratimi i nismës për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit.
Gjatë fjalës së tij në konferencën për shtyp, Rama tha se nuk ishte në dijeni të kësaj deklarate, teksa e cilëson si zhgënjyese në planin etik.
“Nuk jam në dijeni të një deklarimi të ministrit (gjerman) do ta shoh. Por nuk ndryshon. Gjermania është një pikë referimi e mbarë botës. Deklarimi i zotit David Wadephul ishte zhgënjyes në planin etik, i zhbalancuar në planin politik. Është një mik i mirë i Lulzim Bashës dhe i imi, kam një komunikim të vazhdueshëm me të dhe e çoj për të ndihmuar në lehtësimin e marrëdhënieve politike. Çmoj edhe faktin që është evropian i palëkundur dhe vizionit për Ballkanin Perëndimor. Respekti dhe mirënjohja për çdo orë.
Deklarimi i djeshëm nënçmon parlamentin e Shqipërisë, sikur të ishte noter pa të drejtë fjale. Jemi 100% dakord që duhet miratuar, por nuk mund të jetë kusht për të ndaluar parlamentin të shkojë përtej saj për të demokratizuar më tej zgjedhjet, ky është nxitimi në planin institucional. Në planin etik, ishte zhgënjyes sepse nuk mund të flitet me të dëgjuar, por me fakte të verifikuara. Ai nuk e ka sajuar, por e ka dëgjuar se nisma kushtetuese ndalon koalicionet, kjo është e pavërtetë. Koalicionet as nuk do të ndalohen dhe nuk mund të ndalohen, ato thjeshtë do të jenë si në çdo vend të Evropës, ku partitë kanë liri të grupohen dhe të paraqiten me kandidatët e tyre, sikur bën CDU-ja me CSU-në. Ai mban krahun e opozitës jashtë parlamentare. Të shikojë faktet dhe jo fjalët e bazuar në dezinformacion”, tha ai.