Shkelën urdhrin e ndalimit të qarkullimit, sa shoferë u ndëshkuan brenda 24 orëve

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 245 drejtues mjetesh të cilët kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit dhe janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit.

Sipas Policisë, në Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. K., 33 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Durrës, si dhe u procedua në gjendje të lirë vëllai i tij shtetasi E. K.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës i kanë dhënë shenjë për të ndaluar mjetit tip BMW me targa të huaja, në dalje të kryeqytetit, me drejtues shtetasin M. K, por ky i fundit nuk i është bindur dhe ka shtuar akoma më shumë shpejtësinë dhe manovrat e rrezikshme, duke u bërë rrezik serioz për veten dhe punonjësit e Policisë Rrugore, ku në tentativë për t’u larguar, ka goditur dy mjete të Policisë Rrugore të Tiranës, që po e ndiqnin pa ndërprerje, deri sa ka braktisur mjetin në një rrugë rurale në afërsi të Vorës dhe janë larguar në këmbë, por falë ndjekjes nga afër janë prangosur nga efektivët e rrugores, të dy personat dhe janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Vorë, për veprime të tjera hetimore e procedurale.

Gjatë kontrollit në mjet dhe në trup, Policia gjeti dhe sekuestroi 12400 franga zvicerane, një thikë dhe disa karta banke zvicerane, në emër të shtetasit M. K.

Në Cërrik, shtetasi G. Dh., 40 vjeç, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe me shpejtësi tej normave të lejuara nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar dhe është kapur pas ndjekjes nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Shalës”, Belsh.

Edhe në momentin e kapjes dhe gjatë shoqërimit, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë, por është prangosur dhe shoqëruar forcërisht në ambientet e Policisë.

Në Fier, nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Fier u arrestua në flagrancë shtetasi A. A., 29 vjeç, banues në Mallakastër, pasi në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Grecallisë”, u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur.

Në Dibër, nga shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Dibër u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi K. ZH., 23 vjeç, banues në Dibër, pasi në qytetin e Peshkopisë, u kap duke drejtuar automjetin tip furgon, pa dokumentacion dhe pa u pajisur me leje drejtimi.