Kronikë

Shkatërrimi i grupit kriminal, Lleshaj: Tregon profesionalizmin e organeve tona ligjzbatuese


               Publikuar në : 19:12 - 26/06/19 Enno

Ministri i Brendshëm, Lleshaj ka reaguar pas mbylljes së operacioni antidrogë të policisë ku nga grupi kriminal u konfiskuan 200 mijë euro, 10 milionë lekë edhe 7 makina.

Me anë të një postimi në Tëitter, ministri Lleshaj u shpreh se kjo goditje tregon besueshmërinë dhe profesionalizmim e lartë të organeve tona ligjzbatuese.

“Goldfinger”, operacioni i koordinuar nga EUROPOL, ku merr pjesë Policia dhe Prokuroria Shqiptare, godet fort në Europë dhe në Shqipëri. Pjesë e goditjes janë shumë pjestarë të krimit të organizuar dhe sasi të mëdha asetesh kriminale. Kjo goditje e radhës provon pjekurinë, motivimin, besueshmërinë dhe profesionalizmim e lartë të organeve tona ligjzbatuese”, shkruan Lleshaj.

Operacioni ishte i shtrirë në Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni dhe Shqipëri.

Autoritetet daneze të hetimit si vend lider i këtij hetimi, bashkëpunuan me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, që në fazën e hetimit proaktiv, i cili kishte në fokus goditjen e një grupi kriminal që vepronte në shtetet e mësipërme, në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë, etj.

Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, konkretisht Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet daneze, regjistruan procedimin penal në vitin 2019.

Sot, në koordinim të plotë me EUROPOL, autoritetet e hetimit të Danimarkës, ato të Suedisë, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Sllovenisë dhe Shqipërisë, realizuan goditjen në një kohë, të këtij grupi kriminal.

Është dokumentuar se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së. Si rezultat i operacionit u arrestuan mbi 42 persona në të gjitha vendet ku ishte shtrirë ky hetim.

U sekuestruan 40 kg kokainë, u kontrolluan me dhjetëra ambiente, u sekuestruan mbi 600 mijë euro, arme zjarri, granata, disa automjete dhe objekte te ndryshme, etj.

Në Shqipëri gjatë fazës operacionale u përfshinë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Tiranë dhe Korçë, ku në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, mëngjesin e sotëm në Shkodër, u bë arrestimi i shtetasit A. B., 51 vjeç, banues në Shkodër, me rol aktiv (kryetar i grupit kriminal), për veprat penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

U shpall në kërkim një shtetas tjetër, por për arsye hetimi, nuk bëhen të ditura gjeneralitetet. U sekuestruan në Shqipëri rreth 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.

EUROPOL dhe autoritetet daneze, kanë falënderuar Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për profesionalizmin e treguar, rolin aktiv dhe shumë të domosdoshëm në goditjen e këtij grupi të rrezikshëm kriminal.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT